Arbëri

Për 5 muaj, 630 kërkesa për legalizim të armëve në Kosovë

Foto: Alban Bujari / Koha Ditore

Që nga dhjetori i vitit të kaluar në Ministrinë e Punëve të Brendshme janë legalizuar 246 armë, ndërkohë që kanë qenë gjithsej 630 kërkesa për legalizim të armëve.

Kështu është bërë e ditur në takimin e parë koordinues për planin e veprimit të udhërrëfyesit rreth Armëve të vogla dhe të lehta.

Udhëheqësi i Komisionit për armë të Vogla dhe të Lehta, Izmi Zeka, ka thënë se Kosova është e përkushtuar për të zbatuar udhërrëfyesin në tërësi dhe në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ai ka bërë të ditur se që nga dhjetori 630 armë që kanë qenë të paligjshme tani janë nën kontroll.

“Kosova po zbaton me sukses një fushatë legalizimi e cila filloi me 17 dhjetor 2018 dhe do të zgjasë deri me 17 qershor 2019. Që nga fillimi i fushatës janë marr mbi 630 kërkesa për legalizimin e armëve dhe janë lëshuar 246 pëlqime. Kjo do të thotë se 630 armë që ishin në posedim të paligjshëm tani janë plotësisht nën kontroll. Dy javë më parë dëshmuam operacionin policor të udhëhequr nga inteligjenca që rezultoi me konfiskimin e rreth 100 pistoletave që synonin tregun kriminal dhe përmes këtij operacioni ne e kemi bërë Kosovën të sigurt, por edhe rajonin”, tha ai, raporton Ksp.

Ai tha se edhe më tutje po punojnë në harmonizimin e ligjeve dhe harmonizimin e direktivave dhe rregulloreve të BE-së. Sipas tij, takimi koordinues lokal synon edhe të adresoj nevojat urgjente dhe se dëshirojnë të fillojnë menjëherë me përmirësimin e mbikëqyrjes së kufirit të gjelbër.

Për këtë të fundit, ai tha se është përgatitur një projekt për financim të menjëhershëm, ku ai tha se ky projekt duhet të hedh dritë mbi çështjet e armëve me diabollë dhe konvertimin e tyre.

Kurse, zv.ambasadorja e Francës në Kosovë, Carole Blestel-Feffer, ka thënë se është e kënaqur me dinamikën e zbatimit të kësaj iniciative, derisa ka theksuar se Kosova ka qenë shteti i parë i regjionit që e ka adaptuar planin e veprimit në dhjetor të 2018.

“Takimi i ditës së sotme është mjaftë i rëndësishëm, siç do të lansohet implementimi praktik i planit të veprimit nacional dhe gjithashtu të koordinojë autoritetet nacionale dhe akterët. Si Francë vazhdojmë të mbështesim zhvillimin dhe implementimin e udhërrëfyesit e cila është diçka mjaftë e rëndësishme për rritjen e paqes dhe sigurisë në Evropë”, tha ajo.

Ndërkaq, zv. ambasadori i Gjermanisë, Jan Alex Voss, ka folur për rëndësinë e legalizimit të armëve.

“Numri i lartë i këtyre armëve më Ballkan nga luftërat jugosllave janë më të rrezikshme, madje edhe sot prezantojnë një rrezik të madh për sigurinë e qytetarëve në Kosovë, në regjion, në Evropë dhe këtë edhe në BE. Siç edhe ju e dini disa nga këto armë në Ballkanin Perëndimor janë përdorur në sulme terroriste më BE, pra është brengë e Qeverisë time dhe qeverive tjera”, tha ai.

Nga zyra e BE-së në Kosovë, Hakan Ejdervik, ka thënë se legalizimi i armëve është një proces shumë i rëndësishëm.

“2016-ta raporti i BE-së në trafikimin e paligjshëm të armëve të Vogla dhe të Lehta është treshifuar në dekadën e fundit dhe të gjitha këto janë nga trafikimi i armëve të paligjshme me viktima të para dhe gjithmonë kanë qenë popullata civile. Trafikimi i armëve e tregon procesin e jostabilizimit, nuk janë vetëm një kërcënim kombëtar por gjithashtu që të tregojë për jostabilitetin”, tha ai.

Udhërrëfyesi zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet relevante të rajonit nën kujdesin e Republikës Federale të Gjermanisë dhe përkrahjen teknike të SEESAC/UNDP dhe në koordinim me Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Komisionin Evropian. Plani i Veprimit për zbatimin e Udhërrëfyesit u miratua gjithashtu nga Qeveria e Republikës së Kosovës në dhjetor 2018.