Arbëri

Në BQK punon edhe motra e ministrit Ismaili, mbesa e Zonjës së Parë dhe vajza e Dedajt

Ismaili është njëri ndër njerëzit që i rri më së shumti afër kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe së fundi po merret me rekrutimin e njerëzve të rinj në PDK.

Ratibe Ismaili-Dreshaj, është motra e ministrit të Shëndetësisë dhe ajo, së fundmi, është punësuar në Bankën Qendrore të Kosovës.

Ajo, bazuar në informacionet që posedon Kohavisioni, është duke punuar në Kabinetin e Guvernatorit Fehmi Mehmeti dhe është punësuar pasi që e kishte përfunduar punën me kontratë mbi vepër.

Ismaili-Dreshaj, më parë, ka punuar edhe në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, si këshilltare e zëvendësministres Besa Zogaj-Gashi.

Kohavisioni ka pyetur dy herë Bankën Qendrore për punësimin e Ratibe Ismaili-Dreshajt, por në asnjërin rast nuk është saktësuar se çfarë punon ajo në BQK.

Herën e parë është konfirmuar vetëm që ajo punon aty, ndërsa në përgjigjet e herës së fundit, BQK-ja vetëm lavdërohet për punën që bën me një staf minimal.

“BQK-ja ka arritur që me një staf prej 218 personash, të plotësojë të gjitha kërkesat që parashikohen me ligj, ashtu edhe kërkesat që vijnë nga bashkëpunimi shumëvjeçar që BQK-ja ka me institucionet vendëse dhe ato ndërkombëtare, nga të cilat ka marrë vetëm vlerësime pozitive. Prandaj, me këtë rast, dëshirojmë të konfirmojmë se të gjithë personat e përmendur nga ju, janë pjesë e personelit të BQK-së dhe i janë bashkëngjitur këtij institucioni në sajë të përgatitjes së tyre akademike e profesionale, si dhe përvojës që kanë bartur nga institucione të ndryshme”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Pyetjeve të KTV-së për punësimin e motrës së tij në këtë institucion nuk u është përgjigjur ministri Uran Ismaili.

Gjergj Dedaj, pothuajse në secilin mandat të qeverisjes së presidentit Thaçi, ka qenë pjesë e Qeverisë, si zëvendësministër, e tash së fundi është emëruar ambasador në Maqedoni Veriore.

Por, një hise të vogël, Dedaj arriti ta marrë edhe në BQK.

Ai aty, ka të punësuar vajzën e tij Teutën, e cila është zyrtare e lartë në Kabinetin e Guvernatorit, pozitë të cilën e mori më 1 shkurt të këtij viti.


Por, sipas BQK-së, Dedaj është e punësuar në këtë institucion që nga 4 maji i 2017-s, në pozitën e asistentes ekzekutive në Zyrën e zëvendësguvernatorit për Mbikëqyrje Financiare, që në atë kohë ishte guvernatori i tanishëm, Fehmi Mehmeti.

I kontaktuar nga KTV-ja, Dedaj ka thënë se ajo u punësua aty me forcat e saja derisa shton se po të respektohej meritokracia, vajza e tij do të kishte pozitë më të lartë.

“Vajza ime Teuta, ka përfunduar studimet për Banka dhe Financa, ajo ka punuar në Bankën TEB, për 6 vjet. Ka përcjellë konkurset e rregullta të punësimit dhe ka konkurruar ne BQK, duke iu nënshtruar testit të intervistimit nga komisioni përkatës dhe ka dëshmuar aftësi dhe profesionalizëm, duke u pranuar me procedurë të rregullt pa pasur nevojë as unë dhe askush të ndikojë në këtë proces! Fakti se ajo është vajza ime, nuk do të thotë se ajo nuk do të duhej të punësohej dhe të bënte ngritje të karrierës profesionale”, thuhet në përgjigjen e Gjergj Dedajt, nënshkruar si ambasador i Kosovës ne Maqedoninë e Veriut.

Përveç Alban Gërxhaliut nipit të Zonjës së Parë, Lumnije Thaçi, ka punësuar edhe një mbesë tjetër në Bankën Qendrore të Kosovës.

Alma Hyseni është mbesa e saj dhe ajo u punësua aty në fundvitin e 2014-s, kur në krye të BQK-së kishte ardhur Bedri Hamza.

Kohavisioni nuk ka arritur të kontaktojë asnjërin nga të apostrofuarit, derisa i ka kërkuar edhe Bankës Qendrore që t’i njoftojë për pyetjet punëtorët e lartcekur.

Por, pavarësisht pritjes disaditore, nuk është kthyer përgjigje.