Arbëri

Sprapsjet e Thaçit

Foto: Alban Bujari / Koha Ditore

Sosja e durimit të ndërkombëtarëve është kufiri i vetëm para të cilit sprapset presidenti Hashim Thaçi. Kështu ndodhi javën e kaluar, kur pas një viti bllokadë i dekretoi anëtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor, sipas formulës të cilën ai dhe partnerët e koalicionit e kundërshtonin.

Me gjithë thirrjet e vazhdueshme të partive politike dhe të shoqërisë civile, presidenti e zhbllokoi KQZ-në pas një deklarate publike të ambasadorit amerikan Philip Kosnett. Karriera politike e Thaçit është e mbushur me sprapsje të tilla, shkruan sot “Koha Ditore”.

Cytja për ta paralizuar Specialen, ndërmarrja ligjore rreth FSK-së në vitin 2017 pa mbështetje ndërkombëtare, dhe së fundmi heshtja për idenë e korrigjimit të kufijve - janë vetëm disa prej proceseve në të cilat Thaçi nuk ka treguar konsistencë.

Sipas njohësve të rrethanave, këtë mënyrë të politikëbërjes Thaçi e shtyn deri në momentin kur i cenohen raportet personale me ndërkombëtarët. Analisti Imer Mushkolaj ka thënë se Thaçi është mësuar të bëjë politikë me shantazhe e imponime.

“Ai ka provuar t'i çojë deri në fund idetë e tij, deri në kufirin e fundit të durimit ndaj ndërkombëtarëve. Mënyra se si Thaçi bën politikë është mënyrë e sprapsjes nën presion, në momentin kur nuk sheh rrugëdalje, ose kur sheh se po rrezikohen idetë e tij”, ka theksuar Mushkolaj.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)