Arbëri

22 vjet “Kohë Ditore” – gur-themel i revolucionit të gazetarisë moderne në Kosovë

22-vjetori i themelimit të “Kohës Ditore”, është kryetemë e numrit të së dielës së gazetës.

Shkrimi kryesor me titull “22”, flet për mënyrën se si në rrethana të pushtimin policor dhe ushtarak serb më 31 mars 1997 lindi gazeta, e cila më pas do të bëhej gur-themel i revolucionit të gazetarisë moderne në Kosovë.

Çfarë simbolizonte zeroja në botimin e parë?

Si presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e humbi betejën me “Kohën Ditore” më 1999 kur urdhëroi mbylljen dhe gjobitjen e gazetës?

Këto janë disa nga pyetjet që marrin përgjigje në kryetemën e së dielës në “Koha Ditore”.

Te tema e javës, po ashtu gjeni shkrimin i cili rrëfen mënyrën se si gazeta u shndërrua në shkollë të re gazetarie.

Në rubrikën “rrëfim” vijnë kujtimet e reporterëve të luftës dhe rrethanat e vështira në të cilat punuan.

Reportazhi sjell rrëfimet për shtypshkronjën, e cila ishte dera e fundit e gazetës.

Aty mund t’i gjeni rrëfimet e punëtorëve për punën e përditshme në kohë lufte dhe dëmet që ia shkaktuan forcat serbe makinerisë së shtypshkronjës.

Nga shkrimet e botës veçohet ai për fushatë e aktorit komik Zelensky i cili po prin në anketime si kandidat për president të Ukrainës në zgjedhjet e 31 marsit.

Për ndërtimet në tokat shtetërore dhe bujqësore në Shqipërinë e viteve të nëntëdhjeta, mund të lexoni në rubrikën e fejtonit.

Krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës vijnë të dokumentuara përmes foto reportazhit.

Në “Kosovarçe” mund të kuptoni detaje për ritualin e ecjes në zjarr në Prizren.

“Fotografi që prek ndërgjegjen nëpërmjet imazheve”, është titulli i njërit nga shkrimet e kulturës.

Monumenti këtë javë sjell informacione nga brezi i ri i çelësabërësve në Prishtinë dhe punës së tyre milimetrike.

Në mesin e shumë shkrimeve interesante nga sporti veçohet ai për suksesin Ardit Pepajt, volejbollistin e shndërruar në basketbollit.

Këto dhe shkrime të tjera interesante nga kinematografia, shkenca, teknologjia, moda e shumëçka tjetër, mund t’i lexoni në mbi 80 faqet e numrit të së dielës në “Koha Ditore”.