Arbëri

ATOMI certifikoi më të suksesshmit e garës së matematikës “Kangaroo”

Këtë vit, për herë të parë në Kosovë është mbajtur gara ndërkombëtare e matematikës “Kangaroo”, të cilën e ka organizuar Instituti ATOMI me autorizimin e “Asociacionit Kangourou Sans Frontières (AKSF)”. Gara “Kangaroo” është gara më e popullarizuar në botë për fushën e matematikës, e cila organizohet në mbi 70 vende të botës dhe çdo vit marrin pjesë mbi 6 milionë nxënës nga mbarë bota.

Në këtë garë, në Kosovë kanë marrë pjesë mbi 4 mijë nxënës të të gjitha niveleve nga mbarë Kosova dhe Instituti ATOMI e ka shfrytëzuar këtë garë për të identifikuar talentet e rinj në fushën e matematikës në Kosovë, në mënyrë që të ofrojë aktivitete dhe shërbime të ndryshme përkrahëse për këto talente, posaçërisht kurse të avancuara të matematikës, në funksion të zhvillimit dhe avancimit maksimal të talentit, njohurisë dhe kompetencës së tyre në fushën e matematikës.

Në funksion të kësaj, Instituti ATOMI ka përzgjedhur 70 nxënësit më të suksesshëm të garës “Kangaroo” në Kosovë, të cilët janë certifikuar sot në një ceremoni solemne, në të cilën përveç këtyre nxënësve dhe prindërve të tyre, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe të Drejtorive Komunale të Arsimit.

Në këtë ceremoni janë ndarë edhe çmimet për më të suksesshmit e garës për secilën kategori, më të suksesshmit në nivel vendi dhe çmimi për rezultat të jashtëzakonshëm (rezultat maksimal), si vijon:

Fituesit e vendeve të para për secilën nga 6 kategoritë e garës Kangaroo në Kosovë:

- Fituese e vendit të parë për kategorinë 1 (që përfshinë klasën I & II) në garën Kangaroo 2017 në Kosovë është Hana Damoni.

- Fitues i vendit të parë për kategorinë 2 (që përfshinë klasën III & IV) në garën Kangaroo 2017 në Kosovë është Dalmat Selimi.

- Fitues i vendit të parë për kategorinë 3 (që përfshinë klasën V & VI) në garën Kangaroo 2017 në Kosovë është Elion Morina.

- Fituese e vendit të parë për kategorinë 4 (që përfshinë klasën VII & VIII) në garën Kangaroo 2017 në Kosovë është Era Syla.

- Fitues i vendit të parë për kategorinë 5 (që përfshinë klasën IX & X) në garën Kangaroo 2017 në Kosovë është Urim Hoxha.

- Fitues i vendit të parë për kategorinë 6 (që përfshinë klasën XI & XII) në garën Kangaroo 2017 në Kosovë është Shend Zhjeqi.

Fituesit e tri vendeve të para në nivel vendi për të gjitha kategoritë e garës Kangaroo në Kosovë:

- Fitues i vendit të parë në nivel vendi në të gjitha kategoritë në garën Kangaroo 2017 në Kosovë është Shend Zhjeqi.

- Fitues i vendit të dytë në nivel vendi në të gjitha kategoritë në garën Kangaroo 2017 në Kosovë është Dalmat Selimi.

- Fitues i vendit të tretë në nivel vendi në të gjitha kategoritë në garën Kangaroo 2017 në Kosovë është Blert Beqa.

Fitues i Çmimit për rezultat të jashtëzakonshëm (rezultat maksimal) në garën Kangaroo:

- Shend Zhjeqi është nxënësi që ka arritur rezultat maksimal në testin Kangaroo, duke fituar 120 pikë nga 120 pikë të mundshme ose 100% të pikëve të mundshme. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme dhe shumë e rrallë në garën Kangaroo, jo vetëm në Kosovë, por edhe në botë.

Instituti ATOMI ju uron suksese të gjithë këtyre talenteve të matematikës në Kosovë dhe mbetet maksimalisht i përkushtuar në përmbushjen e misionit të tij për identifikimin dhe përkrahjen e nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti e talente në Kosovë.