Ligji për Qeverinë pritet të përcaktojë edhe kuotën gjinore

Ligji për Qeverinë pritet të përcaktojë edhe kuotën gjinore

29 March 2019 09:54

Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës vazhdimisht ka qenë dhe mbetet temë debati. Për krijimin e hapësirës dhe për t'i tejkaluar pengesat për pjesëmarrjen e grave në institucione janë krijuar kuota, të cilat janë paraparë edhe në kuadër të kornizave ligjore.

Një kuotë e tillë e përfaqësimit të grave do të parashihet edhe në Ligjin për Qeverinë, i cili është në përgatitje e sipër.

Kryesuesi i Komisionit për hartimin e projektligjit, Besnik Tahiri, që njëherësh është edhe Koordinator Nacional për Reforma Shtetërore, thotë se kuota do të ketë, porse ende nuk është vendosur për shkak se projektligji është në diskutim me grupet punuese.

“Ligji për Qeverinë është në proces e sipër të draftimit. Ky ligj parasheh kuotën gjinore, jemi në diskutim e sipër për tri çështjet kryesore, së pari për tavanin e ministrive, numrin e zëvendëskryeministrave dhe ministrave dhe po ashtu për kuotën gjinore. Do të ketë kuotë gjinore, por nuk ka asgjë finale. Ky është vendim i Qeverisë, nuk është vendim i grupit punues. Grupi punues është duke e trajtuar këtë proces, por po, do të ketë kuotë gjinore” thotë Tahiri.

Komisioni për hartimin e Ligjit për Qeverinë, ka konfirmuar se tashmë është në përfundim e sipër, kurse planifikimet janë që në fund të muajit maj, të kalojë në Qeveri projektligji të kalojë procedurat e nevojshme në Kuvend.

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), për herë të parë aplikoi sistemin e kuotave gjinore në Kosovë në tetor të vitit 2000. Në bazë të një rregullore kërkonte së paku 30 për qind të kandidateve gra në listat e partive të jenë të gjinisë femërore.

Radio Evropa e Lirë

Komentet

Shto koment

Të ngjashme