Arbëri

Strehimoret e viktimave të dhunës me probleme financiare, për to kërkohet linjë e veçantë buxhetore

Descriptive Text

Mungesa e një linje të veçantë të buxhetit për Strehimoret e Viktimave të Dhunës në Familje po shkakton probleme në funksionimin e tyre.

Ndonëse 50 për qind e shpenzimeve të tyre mbulohen nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në formë të granteve, dhe pjesa tjetër nga komunat, një qeverisje e tillë financiare ka rezultuar e pasuksesshme.

Adelina Berisha, hulumtuese nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës, ka thënë për Koha.net se është obligim kushtetues krijimi i një linje të veçantë buxhetore për strehimoret. Sipas saj, strehimoret përjetojnë sfida të ndryshme në lidhje me qëndrueshmërinë e tyre financiare, pasi që deri sivjet qëndrueshmëria e tyre financiare ka qenë jo-stabile.

“Nga ky vit, pas avokimit të Rrjetit të Grave të Kosovës, për strehimoret është krijuar një linjë e veçante përmes të cilës do të përkrahen financiarisht. Ky buxhet ende nuk është ndarë, por Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale janë të përkushtuar që ta realizojnë këtë përkrahje pasi që kërkesa për mbështetje të strehimoreve është obligim kushtetues”, ka thënë ajo.

Koordinatori Kundër Dhunës në Familje, Naim Qelaj, që njëherësh është edhe zëvendësministër i Drejtësisë, i ka thënë portalit Koha.net se mënyra aktuale e financimit të strehimoreve nuk ka dalë të jetë efektive, me ç’rast një mënyrë e tillë e financimit sipas tij do të ndryshohet përmes ndryshimit të ligjit.

“Qeveria përmes Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, mbështetë financimin e strehimoreve përmes grandeve për organizatat jo fitimprurëse, ashtu që çdo vit mbulon 50% të nevojave të strehimore që janë të licencuara nga kjo ministri. Pjesa tjetër mbulohet nga mbështetja që jepet nga komunat. Këtë vit besojmë që financimi i strehimoreve do të zgjidhet përmes ndryshimeve ligjore”, ka deklaruar ai.

Koha.net ka kontaktuar edhe me zyrën e OSBE-së në Kosovë të cilët kanë thënë se strehimoret duhet të pranohen si pjesë e sistemit të drejtësisë e jo të funksionojnë vetëm si OJQ.

“Bazuar në analizën e kornizës ligjore dhe institucionale dhe intervistat me drejtorët e tetë strehimoreve, është e pamohueshme që ato vazhdojnë të kenë një numër sfidash serioze që pengojnë funksionimin e strehimoreve. Legjislacioni për strehimoret duhet të harmonizohet gjithashtu, dhe ato duhet të pranohen si pjesë e sistemit të drejtësisë, e jo vetëm si ofrues të shërbimeve me status të OJQ-së”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ata tutje kanë theksuar se brenda këtyre shtëpive duhet të ketë trajnime në mënyrë që viktimat e dhunës të integrohen.

“Duhet të ofrohet trajnim më i specializuar për personelin e strehimoreve dhe viktimat që banojnë në strehimore. Për shembull, strehimoret për viktimat e dhunës në familje, të cilat janë përgjegjëse kryesore për rehabilitimin dhe riintegrimin e viktimave në shoqëri, kanë probleme me qëndrueshmërinë financiare dhe po vazhdojnë të avokojnë për përfshirjen e një linje buxhetore të veçantë për financimin e strehimoreve në baza trevjeçare, në përputhje me procesin e licencimit të tyre. Në fillim të vitit 2019, strehimorja në Mitrovicën e Jugut u detyrua të mbyllet dhe të bartë të paktën katër viktima në strehimoren e Prishtinës”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ndërkaq, Zana Hamiti ,drejtoreshë e Qendrës për Mbrojtje të Grave dhe të Fëmijëve në Prishtinë, ka thënë se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk i mbulon 100% të nevojave të kësaj qendre derisa ka theksuar se shteti nuk është përkujdesur për të integruar viktimat e dhunës.

“Përkrahja nga Ministria nuk i mbulon 100% nevojat , mirëpo shpenzimet tjera sigurohen nga donatoret. Kemi kërkuar mbështetje nga niveli qendror me 100%, mirëpo në këtë vit kemi përfituar 70% të shpenzimeve totale nga MPMS-ja. Shteti do të duhej që viktimat e dhunës të kenë fuqizim ekonomik dhe të jenë përfituese të banimeve sociale në mënyre që të pavarësohen dhe të vazhdojnë jetë pa dhune, larg dhunuesit”, ka thënë ajo.

Gjatë vitit 2018 janë shënuar 1,314 raste të dhunës në familje, nga të cilat 626 çuan në lëshimin e urdhrave të mbrojtjes. Sipas mbrojtësve të viktimave, numri i rasteve të raportuara është rritur, që mund të jetë shenjë se viktimat kanë më shumë besim në institucionet publike.

Sipas statistikave që ka Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, gjatë vitit 2018, në strehimoret e Kosovës janë strehuar 454 persona. Prej tyre 212 janë fëmijë, 243 të rritur. 333 janë gra dhe vajza dhe 96 burra. Sipas shtetësisë 448 janë vendorë e 8 te huaj. Sipas kombësisë 408 shqiptarë, 33 RAE, 4 boshnjakë, 1 turk, 2 gjermanë dhe 1 sllovak.

Ndërkohë sipas informata të marra nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në Kosovë ekzistojnë strehimore në 8 komuna si: Prishtinë, Gjakovë, Ferizaj, Gjilan, Mitrovicë, Pejë dhe Novobërdë.