Arbëri

Për keqpërdorimin me të miturën në Drenas ka më shumë policë të dyshuar, thotë Qalaj

Zgjerohen hetimet për rastin e Drenasit, ku një hetues policor dyshohet se ishte përfshirë në keqpërdorimin e një të miture.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë në Komisionin Parlamentar që mbikëqyr punën e policisë, se Inspektorati Policor u ka kërkuar atyre të mos marrim masa për këtë rast, pasi ka persona të tjerë që po hetohen.

Qalaj ka folur edhe për policët që morën pension të invalidit dhe, sipas tij, nga një kontroll i detajuar që u është bërë atyre, është vërtetuar se ata janë të shëndoshë.

Ndërkaq, për Afrim Karagjën, ka thënë se suspendimi i tij është për shkak të qasjes së paautorizuar në sistemin konfidencial të Policisë së Kosovës, e jo për shkak të nxjerrjes në publik të informatave.

Sipas Qalajt, jetike për ta është Ligji për Pensionet e Policisë, pasi aktualisht mosha mesatare e tyre është 45 vjeç.

Megjithatë, Komisioni Parlamentar ka shtyrë shqyrtimin e raportit hetimor për IPK-në.

Kundër kësaj shtyrje, ishte deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi, i cili ka theksuar se kanë ekzistuar tendencat për të ndikuar te raporti hetimor.

Këto tendenca për ndikim në gjetjet e raportit, ai i ka cilësuar si të jashtëligjshme, derisa ato i ka konfirmuar edhe deputetit tjetër, Labinot Tahiri.

Ai ka thënë se është thirrur nga dy deputetë dhe një zyrtar, të cilët i kanë kërkuar që të mos merrte pjesë në këtë komision, në mënyrë që raporti të mos votohet.

Komisioni për Siguri, para një viti, kishte nisur hetimin për mbikëqyrjen e ligjshmërisë në IPK, pas raportimeve për skandalet e shumta në këtë institucion.