Arbëri

VV: Neglizhenca në zbatimin e Ligjit të Ujërave po i rrezikon resurset ujore

Në ambientet e Kuvendit të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje organizoi tryezë profesionale mbi mungesën e planifikimit dhe të menaxhimit të resurseve ujore në Kosovë.

Kjo është tryeza e dytë mbi krizën mjedisore, pas asaj të para tre muajve për ndotjen mjedisore, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Kryetari i VV-së, Albin Kurti mbajti parashtrimin fillestar ku foli për domosdoshmërinë e hartimit të politikave zhvillimore ekonomike në përputhje dhe pa i shkaktuar dëme politikave për mirëmenaxhimin e resurseve ujore.

Kurti u shpreh se ujërat janë edhe themeli i luftës gjeopolitike bashkëkohore, edhe një nga të drejtat e njeriut për të pasur qasje në to, por edhe një garanci për cilësinë e jetës. Ne kemi nevojë për një zhvillim ekonomik i cili nuk i dëmton pakthyeshëm burimet e ujit, por i optimalizon këto burime.

Vetëvendosje thotë se Kosova ka një sasi të kufizuar të burimeve ujore, megjithatë kjo çështje nuk ka qenë prioritet për qeveritë e pasluftës. Prandaj, mungojnë të dhëna për sasinë, kontrollin dhe cilësinë e ujit.

“Përgjegjësia institucionale për menaxhimin e ujërave mbetet e paqartë dhe e shpërndarë mes disa institucionesh dhe ka një mungesë transparence mbi punët dhe të dhënat e tyre. Nga ana tjetër, Ligji i ujërave ka një mori dështimesh si: monitorim jo të mirë të resurseve nëntokësore; keqmenaxhim të përmbytjeve pa plane paraprirëse; ndërtime problematike në zona të mbrojtura ujore; shfrytëzim të egër të inerteve duke dëmtuar lumenj, shtretërit dhe brigjet e tyre; vjedhje e ujit dhe keqpërdorim i tij; dhe ndërtime të paligjshme të HEC-eve”, thuhet në komunikatë.

Vetëvendosje në këtë situatë me politika të improvizuara ka komuna dhe fshatra që nuk e ndajnë ujin me një komunë apo fshat tjetër. Po ashtu, infrastruktura e sistemit të ujitjes, kolektorët dhe trupat ujore janë amortizuar, ndotur, pa investime dhe menaxhimi i tyre nuk është i pakoordinuar me problematikat e ndotjes së ambientit. Sikur të mos mjaftonin këto, qeveria i fal borxhet kompanive të ujit për ambalazhimin dhe lejon që në veri të vendit të operojnë kompani pa liçensë për këtë shërbim.

Vetëvendosje thotë se në përfundim të tryezës u nxorën edhe konkluzionet e mëposhtme:

· Moszbatimi dhe neglizhenca në zbatimin e Ligjit të ujërave po i rrezikon resurset ujore;

· Institucionet bartëse për resurset ujore duhet të funksionalizohen dhe të forcohen sipas Ligjit;

· Hidrocentralet nuk janë koncesione në bazë të legjislacionit, prandaj është i paligjshëm secili prej tyre;

· Duhen ngritur kuadro dhe profesionistë të rinj të ujërave;

· Duhet inspektim dhe monitorim më i fortë i resurseve;

· Duhen studime dhe të dhëna më të plota për planifikimin dhe hartimin e një plani për të ardhmen;

· Duhet planifikuar akumulimi i ujit dhe formimi i liqeneve të reja;

· Duhet plan parandalues për emergjencat e vërshimeve dhe për raste të ngjashme;

· Duhen bërë publike të gjitha lejet ndërtimore të ndërtimeve në zonat në fjalë;

· Duhet formuar një institut për ujërat dhe hidro-ekonominë e Kosovës, i cili do jetë vend studimi dhe propozimi për këtë sektor;

· Ky sektor duhet të jetë prioritet strategjik për politikat e vendit dhe duhen rritur ndjeshëm investimet për të.

Politika zhvillimore për të ardhmen e vendit dhe zhvillimi i qëndrueshëm i Kosovës e ka të domosdoshëm një planifikim, menaxhim dhe një investim strategjik në sektorin e ujërave. Për Lëvizjen ky sektor duhet të marrë vëmendjen që i takon, të jetë prioritet jetik për vendin, një e drejtë e garantuar për qytetarët dhe një garanci për sovranitetin.