Dushi thotë se përbërja e re në KQZ ka përvojë dhe ky institucion do të jetë kredibil

Dushi thotë se përbërja e re në KQZ ka përvojë dhe ky institucion do të jetë kredibil

26 March 2019 23:46

Florian Dushi, i propozuari i LDK-së për anëtar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, e ka vlerësuar të paprecedent mosfunksionalizimin e KQZ-së deri më tani. Por lajmin nga Thaçi se do të zhbllokohet KQZ-ja, e quajti të papritur.

Kujtojmë se pas reagimit të Ambasadës amerikane në lidhje me bllokimin e KQZ-së, presidenti Hashim Thaçi ka vendosur që këtë të enjte, të emërojë anëtarët e ri të kësaj trupe zgjedhore duke i përfshirë nga dy anëtarë për LDK-në dhe VV-në. Me këtë vendim jashtë KQZ-së mbeten Nisma dhe PSD, ndërsa PDK dhe AAK kanë marrë ftesë për nga një anëtar.

Florian Dushi, në Interaktiv të KTV-së, tha se lajmi për zhbllokimin e KQZ-së ishte krejtësisht i papritur.

“Ky është një institucion i përhershëm. edhe presidentët e kaluar, duke ditur për vlerën e këtij institucioni, kanë qenë shumë të kujdesshëm. Asnjëherë nuk ka qenë problem se si dhe sa duhet përfaqësuar subjektet politike në këtë institucion, kjo për faktin se subjektet politike nuk ushtronin presion. Secila prej subjekteve e dinte pjesëmarrjen e vet aty”, tha ai.

Sipas Dushit, përbërja e re do të duhej emëruar ashtu siç e përcakton dispozitat ligjore.

“Përbërja duhet emërohej menjëherë pas zgjedhjeve, në qershor të 2017”, tha ai.

Dushi tha se në kërkesat që ia kanë bërë Thaçit, kërkesë kanë pasë të respektojë Kushtetutën.

“Sikur mos t’i përmbahej asaj që ne kërkojmë, do të kishim një president kujdestar, po e them kushtimisht, që do të kujdestaronte për t’i ndërruar anëtarët sa herë që ai të donte”, tha ai.

Në KQZ, do të jenë 2 anëtarë të LDK-së, Florian Dushi dhe Sami Hamiti, e Dushi tha se kanë marrë ftesa edhe për t’u betuar si anëtarë të rinj.

“Për sa i përket ndarjes nuk kemi pasë kurrë problem. Ne kemi pasë përkushtimin që procesi zgjedhor të rrjedhë mirë. Megjithatë, kam qenë dhe jam insistues se nëse kemi reformë zgjedhore të kemi edhe përfaqësim të duhur. Përbërja që kemi sot, kemi përvojë të gjatë të gjithë, dhe kemi arritë të jemi një institucion kredibil”, tha ai.

Përbërja e re, sipas Dushit, do të punojë në çdo proces zgjedhor.

Sipas Dushit, kërkesa e SHBA-së, apo deklarata e ambasadës së SHBA në Kosovë, sot ka qenë publike, por s’është hera e parë që nga ambasada e SHBA-së e të tjerëve ka pasur kërkesë për ta funksionalizuar KQZ-në.

Kujtojmë se ka gati 2 vjet që KQZ-ja ka qenë e bllokuar, duke mos u emëruar anëtarët e ri të këtij institucioni. Ndërsa, presidenti Thaçi përmes zyrës së tij të informimit ka bërë të ditur se të enjten do të bëhet betimi i anëtarëve të ri në KQZ.

Sipas tij, fondi në KQZ, do të duhej t’i takonte Vetëvendosjes, porse tani kanë disa ndryshime.

“Duhet shikuar nëse baza për ndarjen e fondit shikohet në bazë të deputetëve”, tha ai.

Në KQZ, tha ai, nuk do të kenë problem të bashkëpunojnë me përfaqësues të asnjë subjekti politik, deri në momentin kur të shohin që dikush ka shmangie nga kushtetuta.

“Ne do të betohemi edhe solemnisht që do të jemi profesional dhe s’do të ndikohemi politikisht”, tha ai, duke shtuar se megjithatë, do të hapin idetë vetëm të LDK-së, por pa përjashtuar bashkëpunimin me partitë tjera.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme