Shtëpitë e ndërtuara për kthimin e serbëve kanë mbetur të zbrazëta, ankohen komunitetet tjera

Luljeta Beselica Luljeta Beselica 26 March 2019 21:31

Edhe për dy vjet, do të vazhdojë projekti për kthimin e serbëve në Kosovë.

Për këtë, Ministria për Komunitete dhe Kthim, do të investojë edhe 8 milionë euro për ndërtimin e shtëpive për serbët, në 11 komuna të ndryshme.

Përderisa shumë persona të komuniteteve: rom, ashkali dhe egjiptian, jetojnë në kushte të vështira, për serbët për vite me radhë janë ndërtuar shumë shtëpi e ndërtesa kolektive të cilat në shumë raste janë të pashfrytëzuara, raporton KTV.

4 mijë serbë të zhvendosur Kosova, duan që të kthehen, deklarojnë në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim.

Por, sipas përfaqësuesve të komuniteteve, rom, ashkali dhe egjiptian, kjo ndarje e mjeteve është diskriminuese.

Deputeti Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane, thotë se kjo ministri po favorizon vetëm komunitetin serb.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, sipas tij, ka ndarë mjete për rastet sociale të komuniteteve, rom, ashkali dhe egjiptian.

Edhe Danush Ademi nga Partia 6 plus, ka thënë se Ministria për Komunitete dhe Kthim po i diskriminon komunitetet e tjera, duke i dhënë përparësi vetëm atij serb.

Qeveria e Kosovës, kohë më parë kishte miratuar “Rregulloren për kthimin e personave të zhvendosur”.

Kjo rregullore ka për qëllim të krijojë kushte të nevojshme për përkujdesen e përhershme të personave të zhvendosur, si dhe përfshirjen e autoriteteve të tjera përkatëse në vendimmarrje.

Sipas të dhënave të UNHCR-së në Kosovë, që nga viti 2000, deri në shkurt të 2019-s, numri total i të kthyerve vullnetarë është 11 mijë e 959 persona.

Gjatë këtij viti, janë ndërtuar 59 shtëpi për pjesëtarët e komunitetit serb.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme