Arbëri

Dora Musa numëron hapat që Kosova duhet të ndërmerrë që të arrihet barazia gjinore

Dora Musa, nga INDEP, ka thënë se në Kosovë momentalisht është një pabarazi gjinore mjaft e madhe.

Në “Express Intervistën” në KTV ajo ka thënë se barazia gjinore do t’i sillte Kosovës shumë të mira.

Nga janari jemi duke e trajtuar temën për barazinë gjinore, e cila është shumë e rëndësishme e ka shumë beneficione, si psh arrihet një nivel më i lart i demokracisë në shtetin tonë, një transparencë më e lart dhe paraqiten të gjitha nevojat e grupacioneve të shoqërisë kosovare. E kjo bëhet me përfshirjen e grave në vendimmarrje në nivelin qendror dhe atë lokal”, u shpreh Musa.

Ajo më tutje ka shtuar se janë disa faktorë që ndikojnë në pabarazinë gjinore në Kosovë.

“Ne jemi shoqëri patriarkale. E kemi parë se në partitë politike zgjedhin në pozita ato gra që janë më lehtë të menaxhueshme. E në pozita të ndryshme vendimmarrëse ekziston një diskrepancë e madhe ndërmjet burrave e grave. Është kultura e punës që bëjnë partitë politike, pasi burrat punojnë edhe në orët e vona kurse gratë kanë edhe obligime të tjera, e këto i zmbrapsin që të marrin pozita udhëheqëse”, thotë Musa.

E një diskrepancë e madhe sipas saj është edhe në aspektin e punësimit.

“Në aspektin e punësimit del se vetëm 13 për qind e grave janë të punësuara kurse burrat 43 për qind që është diskrepancë e madhe. Kurse në statistikat e nivelit qendror ka pak përmirësim në krahasim me vitin e kaluar. Më shqetësuese është se në pozita të larta mungojnë gratë ku kemi vetëm një sekretare të përgjithshme. Ne duhet të punojmë në këtë aspekt”, është shprehur Musa në Express të KTV-së.

Sipas saj Komuna e Kamenicës dhe e Drenasit janë storie të suksesit, kryetarët kanë realizuar premtimet e tyre duke bërë barazi gjinore. E Drenasi ka gjithashtu edhe transparencë të lartë. E në këtë aspekt thotë nuk qëndron keq as Kllokoti.

INDEP-i do të ketë disa projekte për të rritur barazinë gjinore në Kosovë, e këtë planifikon ta bëjë edhe në shkollat fillore.

“Ka favorizime të ndryshme, e rinia po heziton me hy në politikë. E gjatë verës do të punojmë me vajza të reja. E aktivitete do të ketë edhe nëpër shkollat fillore, me ç’rast synohet që të stimulohet barazia gjinore ku do të krijohen dy qeveri, njëra me djem e vajza dhe një tjetër vetëm me djem”, u shpreh Musa.

Më tutje ajo ka thënë se Sllovenia është në një nivel shumë të lartë për barazi gjinore, po ashtu edhe Suedia që i kanë dhënë rëndësi shumë të madhe pushimit të lehonisë ku të dy prindërit marrin pushime të gjata. Kurse në Slloveni mbahen trajnime në nivel të lartë për vajzat e nga këto dy vende Musa thotë se Kosova duhet t’i ketë model.

Ajo tregon për hapat që Kosova duhet t’i ndërmerrë që të arrijë në një nivel të mirë të barazisë gjinore.

“Kosova duhet të implementojë disa rekomandime. Fillimisht duhet të harmonizohet Ligji për Barazinë Gjinore me atë të Zgjdhjeve të Përgjithshme, për shkak se Ligji për Barazi Gjinore thotë se duhet të kemi kompozicion gjinor 50 me 50, kurse Ligji për Zgjedhje gjenerale është vetëm 30 për qind që do të thotë se këtu duhet të bëhet harmonizimi. Duhet të fuqizohen gratë që mbajnë pozita udhëheqëse. Shumica e mediave nuk iu japin shumë hapësirë që ato të prezantohen dhe gjuha që përdorin portalet tona ndonjëherë është pak seksiste dhe këto ndonjëherë hezitojnë. Pra, duhet t’i përkrahim dhe t’i shtyjmë përpara si storie të suksesit”, tha ajo.