Arbëri

FSK-ja nis punën për çminimin e zonave me mjete eksplozive

Foto: Ministria e Mbrojtjes

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar sezonin veror të çminimit, duke pastruar zonat e minuara nga dora e njeriut si dhe ato të kontaminuar me bomba kasetore nga ajri.

Për mbarëvajtjen dhe fillimin me sukses të këtyre operacioneve, FSK-ja ka marrë të gjitha masat e nevojshme.

Operacionet e para të çminimit për këtë vit, FSK-ja i ka filluar në lokacionin e Soqishtës, Hani i Elezit, për të vazhduar më pas me Komunën e Ferizajt, përkatësisht lokacionin Parku i Lirisë dhe hapësirën e kazermës Skënderbeu të FSK-së, si dhe lokacionin Babaj i Bokës në Komunën e Gjakovës.

Përveç operacioneve të çminimit FSK-ja ka dy njësi të për Eliminimin e Mjeteve të Pashpërthyera (EOD), gjithherë të gatshme 24 orë për 7 ditë të javës, për largimin e mjeteve të rrezikshme.

Këto njësi kujdestare reagojnë në çfarëdo kohe sapo qytetarët të njoftojnë për praninë e këtyre mjeteve.

Deri me tani njësitë e EOD-së kanë intervenuar në 2700 raste dhe kanë demoluar 4.350 mjete të ndryshme eksplozive.

Prej që FSK-ja ka filluar operacionet e çminimit, nga viti 2010, njësitë e saj kanë pastruar 29 lokacione, me një sipërfaqe prej 2,191,201 metra katrorë dhe kanë gjetur 3512 mjete të ndryshme eksplozive të pashpërthyera.

Ndryshe që nga koha e luftës e deri më sot, 117 veta kanë humbur jetën si pasojë e minave dhe mjeteve tjera eksplozive, ndërsa 467 të tjerë janë lënduar.