MASHT-i, me përgatitje intensive për testin ndërkombëtar TIMSS Foto: MASHT

MASHT-i, me përgatitje intensive për testin ndërkombëtar TIMSS

26 March 2019 12:57

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, mori pjesë në takimin e përbashkët të Komisionit për Vlerësime Ndërkombëtar, përfaqësuesve të Drejtorive Komunale të Arsimit dhe Koordinatorëve të shkollave të përzgjedhura për vlerësimin TIMSS, ku u bisedua për përgatitjet rreth mbarëvajtjes së këtij testi (hulumtimi) vlerësues.

Bytyqi me këtë rast vlerësoi lartë rëndësinë e testit TIMSS si një instrument i jashtëm vlerësues, nga rezultatet e të cilit Kosova do të ketë një pasqyrë reale të gjendjes momentale në sistemin e arsimit.

Ministri kërkoi nga të gjithë aktorët e përfshirë në këtë proces që të angazhohen maksimalisht, të informojnë nxënësit dhe shkollat pjesëmarrëse që të jenë të përgatitur dhe të japin maksimumin. Në këtë kontekst, ministri Bytyqi kërkoi nga Komisioni për Vlerësim dhe të tjerët që të zhvillohen sa më shumë vizita në terren me qëllim vetëdijesimit për rëndësinë e këtij testi vlerësues ndërkombëtar dhe shtoi se praktika e fundit me testin PISA tregoi se një qasje e tillë padyshim jep rezultate të mira.

Testi ndërkombëtar (hulumtimi) TIMSS, është vlerësim ndërkombëtar i trendëve në njohuritë e Matematikës dhe Shkencave Natyrore i cili realizohet në kuadër të organizatës IEA (Internacional Association for dhe Evaluation of Edukational) për vlerësimin e të arriturave në arsim.

Ndryshe, MASHT, përkatësisht Divizioni për Sigurimin e Cilësisë, Standardeve dhe Monitorim ka hartuar planin dinamik të organizimit, në harmoni me kërkesat e parashtruara.

Janë përzgjedhur 148 shkolla prej të cilave 3 shkolla janë me nxënës me nevoja të veçanta.

Testi ndërkombëtar TIMSS përfshin nxënësit e klasave të katërta dhe të teta me gjithsej rreth 5000 nxënës dhe mbahet nga 22 prill-10 maj 2019.

Ky proces vlerësues mbështet nga Bashkimi Evropian, Banka Botërore (projekti KESIP) dhe partner tjerë të MASHT-it.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme