VOA për thirrjen e Lulzim Bashës në Prokurori

VOA për thirrjen e Lulzim Bashës në Prokurori

26 March 2019 10:36

Kryetari i Partisë Demokratike të opozitës, Lulzim Basha, u paraqit dje në Prokurorinë e Tiranës, lidhur me kontratat e lobimit të Partisë Demokratike në SHBA para dhe gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 2017, raportoi mbrëmë 'Zëri i Amerikës'.

“Ka një vit e gjysmë që ka nisur ky hetim, ka 6 muaj që kanë ardhur përgjigjet nga SHBA e Britania e Madhe, – tha zoti Basha. – Ato vërtetojnë se as PD asnjë drejtues i PD nuk ka shkelur asnjë ligj as në Shqipëri, Amerikë e Britani. I kërkoj prokurorisë të bëjë publike përgjigjet e SHBA dhe Britanisë”.

Prokuroria nisi verifikimet për kontratat e lobimit të PD me disa kompani amerikane në nëntor të vitit 2017 për të sqaruar burimet e financimit për këto kontrata dhe për të parë nëse transaksionet ishin ligjërisht të rregullta.

“Hetimi i hapur prej një viti bëhet mbi bazën e plotësimit të formularëve në KQZ. Cështja që po hetohet me kërkesë të PD-së është nëse këto janë mbushur apo jo si duhet. Ky është hetimi dhe jo gënjeshtrat dhe shpifjet për të cilat është investuar fuqimisht qeveria e cila e aktivizon këtë hetim, sa herë i duhet për nevoja politike.” – tha zoti Basha, i cili theksoi se në prokurori ishte thirrur si person, që mund të kishte dijeni për rrethanat e hetimit.

Prokuroria e Tiranës deklaroi pak kohë pas zotit Basha se bashkë me të mori sot në pyetje edhe Gazment Bardhin, Ilir Dervishin dhe Arben Ristani mbi vërtetësinë e shpenzimeve monetare të kryera nga subjekti politik PD në fushatën zgjedhore të vitit 2017.

“Ka një diferencë thelbësore mes deklarimeve të bëra zyrtare për shpenzimet e bëra nga PD dhe shpenzimeve reale të saj: PD ka deklaruar vetëm 25 mijë dollarë, por nuk ka bërë deklarime për shumën prej 650 mijë dollarësh. Në dokumentat e mbërritura nga SHBA-ja dhe Skocia dalin qartë pagesat e bëra dhe të padeklaruara, pra PD nuk ka bërë asnjë deklarim për këto pagesa në kundërshtim me ligjin” – theksohet në deklaratën e prokurorisë.

Sipas saj, nga provat e administruara në dosje rezultojnë të jenë kryer dy pagesa në shumën prej 650 mijë dollarësh për efekt lobimi në SHBA, të cilat PD nuk i ka deklaruar ligjërisht.

“Njëra nga këto pagesa rezulton të jetë bërë nga një shoqëri e huaj dhe konkretisht Biniatta Trade” – deklaroi prokuroria e Tiranës, duke garantuar hetim objektiv dhe të paanshëm në lidhje me këtë çështje, të bazuar në prova dhe në ligj.

Çështja e pagesave për lobim të kryera nga ana e PD-së u hap në nëntorin e vitit 2017, kur firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ plotësoi me informacione shtesë deklarimet e saj të detyruara me ligj për Departamentin e Drejtësisë.

Sipas deklarimeve të kompanisë ‘Muzin’ ajo ka marrë tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017: pagesa e parë mban datën 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma “Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, dy pagesat e tjera janë bërë nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë.

Nga këto deklarime të firmës Muzin, vetëm ajo prej 25 mijë dollarësh, është pranuar nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha që është paguar nga PD-ja. Dy të tjerat mbetën të paqarta.

Partia Demokratike nuk ka pranuar asnjë lidhje me firmën ‘Biniatta Trade LP”, e cila rezulton e regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë – një shtet i Amerikës Qendrore, i njohur si parajsë fiskale. Sipas një investigimi të revistës “Mother Jones”, “Biniatta Trade LP” është një partneritet i krijuar nga dy kompani: Asverro Corp dhe Liminez Commerce, për të cilat “nuk ka të dhëna publike për ndonjë aktivitet tregtar”. Pas këtyre dy kompanive, sipas “Mother Jones”, qëndrojnë dy shoqëri të tjera të regjistruara në Mbretërinë e Bashkuar, “Babyonica” dhe “KF Global Management”, aksionet e të cilave zotërohen në masën 75 për qind nga dy shtetas rus, Evgeny Sheremetyev dhe Kostantin Ferulev.

Një tjetër material investigues, i publikuar nga Top Channel, lidhur me hetimet në Skoci, bën të ditur se pronarët e vërtetë që qëndrojnë pas “Biniatta Trade LP”, janë dy shtetase ruse, Victoria Valkovskaya dhe Natasha Radysheva, e para jeton në ishujt Seychelles, një vend i njohur si “parajsë fiskale” për kompanitë “offshore”, ndërsa Radysheva në shtetin Belize. Edhe këto, sipas artikulit të Top Channel, të lidhura përmes fijesh të shumta me emra të tjerë që të çojnë sërish në Rusi.

Kur vitin e kaluar shpërtheu debate mbi fondet e lobimit, pas artikullit të “Mother Jones” PD deklaroi publikisht se “nuk ka thyer asnjë ligj, as shqiptar, as amerikan dhe të asnjë vendi tjetër. Partia Demokratike nuk ka patur e nuk ka asnjë lidhje direkte apo indirekte me individë apo kompani ruse”.

Megjithatë angazhimi i “Biniatta Trade LP” në favor të Partisë Demokratike, duke paguar 150 mijë dollarë, përbën një moment të paqartë. “Muzin Capitol Partners” ka deklaruar se është “kompensuar nga “Biniatta Trade LP” për aktivitetet e organizuara në emër të Partisë Demokratike për të promovuar lidershipin konservator shqiptar pranë biznesve dhe udhëheqësve politikë​ në Shtetet e Bashkuara”.

“Çfarë ka bërë lobuesi dhe si e ka bërë lobuesi e di ai. Janë marrëdhënie të firmës Muzin me palë të treta”, deklaroi marsin e vitit të shkuar zoti Basha, duke dhënë të njëjtin arsyetim dhe për shumën prej 500 mijë dollarësh e cila në dokumentat e Muzin rezulton e paguar nga PD. “Nuk është bërë asnjë pagesë e tillë nga Partia Demokratike”, theksoi zoti Basha, ndërsa në nëntor të 2017 e kishte shpjeguar këtë shumë me pagesën e kryer falë një mbledhje fondesh nga një numër i madh shqiptaro amerikanësh, por që nuk kishte kaluar përmes partisë.

Por ndërsa PD ka pranuar që ka paguar vetëm 25 mijë dollarë, nga ana e saj firma Muzin Capitol Partners ka deklaruar se vetëm shpenzimet e saj për nënkontraktorët e angazhuar për aktivitetetet në favor të partisë shqiptare, shkojnë mbi 100 mijë dollarë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme