Arbëri

Në Telekom s’do të ketë punësime për 6 muajt e ardhshëm, Komisioni do të hetojë edhe kontratat e mëdha

Në 6 muajt e ardhshëm nuk do të ketë punësime të reja në Telekomin e Kosovës.

Kjo do të ndodhë nëse menaxhmenti dhe Bordi i kësaj ndërmarrjeje do të respektojë vendimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për PTK-në, i cili ka kërkuar një gjë të tillë, raporton KTV.

Megjithatë, jo të gjithë deputetët ishin të një mendimi për këtë.

Kreu i këtij komisioni, Visar Ymeri, ka kërkuar që hetimet për punësime në Telekom të fillojnë nga viti 2009, por një gjë e tillë nuk është vendosur, pasi deputetët e kanë lënë të hapur mundësinë që të hetohen kontratat që në kohën kur janë nënshkruar.

Ymeri i ka kërkuar fokusimin në tri shtylla kryesore të hetimit: Kontratat e dëmshme të lidhura me palët e treta, ndikimin e politikës dhe marrjen e dividentës si dhe instalimin e nepotizmit në këtë ndërmarrje.

Komision pritet të hetojë edhe 9 kontrata të mëdha, në mesin e të cilave, kontratën me Z-Mobile dhe InterAdrian për të cilat kishte raportuar KTV-ja më parë.

Po ashtu, do të hetohen edhe shpenzimet e të gjitha Bordeve dhe menaxhmenteve që kanë udhëhequr me PTK-në, pastaj Telekomi, që nga koha kur kjo ndërmarrje ka kaluar në pronësi të Qeverisë së Kosovës.