Clintoni, 20 vjet më parë: Ky është sulm për të mbrojtur këta njerëz, liderët e të cilëve janë pajtuar për paqe

Dorentina Thaqi Dorentina Thaqi 23 March 2019 19:05

“Ky është sulm për të mbrojtur këta njerëz, liderët e të cilëve janë pajtuar për paqe.”

Kështu kishte deklaruar 20 vjet më parë, presidenti amerikan, Bill Clinton derisa NATO kishte nisur sulmet ndaj Serbisë, raporton KTV.

2 dekada më vonë, në bulevardin që mban emrin dhe shtatoren e tij, shoqata “Miqtë e Amerikës”, ka ndërruar flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me thirrjen që kjo pjesë të ketë pamjen meritore.

Se Amerika është miku më i mirë i Kosovës, e tha edhe kryeministri, Ramush Haradinaj, i cili bëri homazhe te pllaka memoriale e ushtarëve të KFOR-it, të rënë gjatë shërbimit në Kosovë.

Por, kryeministri nuk pranoi të fliste edhe për kërkesën e amerikanëve për heqje të taksës ndaj mallrave serbe.

Ditën e bombardimeve të NATO-s e ka kujtuar edhe presidenti, Hashim Thaçi, duke thënë se Kosova është vend i përbashkët i të gjithë qytetarëve të saj.

“UÇK-ja në tokë dhe NATO-ja në ajër, në luftën e përbashkët për paqe, e detyruan kapitullimin e regjimit të Millosheviqit. Intervenimi i NATO-s, i cili ndaloi spastrimin etnik, na obligon edhe më shumë që me përkushtim të shtuar institucional dhe politik t’i ruajmë dhe t’i garantojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve që jetojnë në vendin tonë”, ka shkruar Thaçi në statusin e tij në Facebook.

Bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë kanë zgjatur 78 ditë, për të përfunduar në qershor, kur forcat e KFOR-it hynë në Kosovë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme