Arbëri

Homazhe te Pllaka Memoriale e ushtarëve të KFOR-it të rënë në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj dhe ministri i FSK-së Rrustem Berisha, bënë homazhe te Pllaka Memoriale e ushtarëve të KFOR-it, të rënë gjatë shërbimit në Kosovë.

Në Facebook, Haradinaj ka treguar se i ka dërguar një letër sekretarit të përgjithshëm të Paktit Veriatlantik Jens Stoltenberg.

“Në njëzetvjetorin e intervenimit të NATO-s në Kosovë, sot i kam dërguar letër Sekretarit të Përgjithshëm të Paktit Veriatlantik, Jens Stoltenberg. Veprimi i vendosur i NATO-s para 20 viteve ndali aksionin gjenocidal mbi popullin e Kosovës. Ky intervenim u bazua mbi vlerat e lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Sot Kosova është shtet, i këtyre vlerave pa dallim dhe e vendosur në rrugën e integrimit euro-atlantik. Populli i Kosovës përherë do t’i jetë mirënjohës ShBA-së dhe shteteve anëtare të NATO-s”, tha ai.

Homazhe janë bërë edhe te Pllaka Përkujtimore me emrat e ushtarëve britanikë, që humbën jetën gjatë shërbimit në Kosovë.

Image

Haradinaj, gjithashtu ka kujtuar se sot, 30 vjet më parë, më 23 mars të vitit 1989, në Kuvendin e Kosovës, në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve, u ndryshua Kushtetuta e vitit 1974, me çka u suprimua autonomia e Kosovës në Federatën Jugosllave, duke e lënë Kosovën si pjesë përbërëse të Serbisë.

“U bënë 30 vjet prej se Serbia me forcën e tankseve në rrugë, suprimoi autonominë politike të Kosovës sipas së cilës Kosova ishte element konstituiv i Federatës Jugosllave. Ishte një gjysëm lirie, e cila edhe si e tillë e pengoi regjimin shovinist të kohës”, ka shkruar Haradinaj në Facnook.

Sipas tij, populli i Kosovës në mënyrë paqësore me marshin dhe grevën e minatorëve, protestat e vazhdueshme të studentëve u përpoq ta senzibilizoj opinion e atëhershëm të brendshëm dhe të jashtëm, por fatkeqësisht në vend të reflektimit Serbia dërgoi tankse, ushtri e polici dhe në vend të mbrojtjes së të drejtave ofroi dhunë për popullin e Kosovës.

“Derisa në Beograd festohej me shampanjë “unifikimi i Serbisë”, rrugët e Kosovës u përgjakën nga vrasja e dhjetra protestuesve. Respekt për gratë dhe burrat që u kryengritën në mbrojtje të Kushtetutës. Ata janë pjesë e kujtesës sonë shtetërore”, ka përfunduar Haradinaj.