Arbëri

“Thirrjet e nënave” me kallëzim penal dhe libër me rrëfimet për krimet e luftës

Tri vjet punë i janë dashur shoqatës “Thirrjet e Nënave” për të mbledhur qindra dëshmi për krimet e luftës së fundit në Kosovë.

Të gjitha këto dëshmi, këtë të enjte, iu dorëzuan Prokurorisë Speciale, raporton KTV.

Përmes një kallëzimi penal dhe një libri që mban emrat e 148 të zhdukurve shqiptarë, kjo shoqatë po pret që Prokuroria t’i nisë hetimet për krimet serbe në Kosovë.

Ndonëse të pakënaqura me punën e deritanishme të institucioneve të Kosovës për të hetuar dhe zbardhur krimet e serbëve në Kosovë, ato kanë ende shpresë se puna do të përshpejtohet me nisjen e hetimeve nga këto kallëzime penale.

KTV-ja ka kërkuar përgjigje nga Prokuroria Speciale e Kosovës, nëse ka nisur deri tani ndonjë hetim për kallëzimet e pranuara më parë, por zyrtarë të saj nuk janë përgjigjur.