Arbëri

Dështon mbledhja e parë e Komisionit Parlamentar Hetimor për Telekomin

Punësimi i djemve, vajzave, kunatave dhe të afërmve të tjerë në Telekomin e Kosovës, nuk u ka bërë përshtypje fare deputetëve për ta nisur punën Komisioni Hetimor Parlamentar për Telekomin.

Në mungesë kuorumi, ky komision dështoi që në nisje, pasi aty nuk u paraqiten shumica e deputetëve të partive në pushtet, raporton KTV.

Deputetët Shkumbin Demaliaj dhe Bekim Haxhiu, nuk u paraqitën fare në takim dhe as që kishin njoftuar se do të mungonin, derisa Fikrim Damka dhe Milaim Zeka kanë qenë në udhëtim zyrtar.

Ende pa u definuar puna e Komisionit Hetimor, kryetari i këtij komisioni, Visar Ymeri, ka theksuar se do të hetohen kontrata të dëmshme të lidhura me palët e treta dhe instalimi i nepotizmit në këtë ndërmarrje.

Pas këtij hapi, Ymeri ka thënë se mund të shqyrtohet edhe mundësia e shkarkimit të Bordit të Telekomit.

Ndërkaq, në mesin e dëshmitarëve për të dëshmuar për atë që ka ndodhur ndër vite në Telekomin e Kosovës, anëtarja e Vetëvendosjes në këtë komision, ka thënë se do ta ftojnë edhe ish-kryeministrin Hashim Thaçi.

Gjatë muajve shkurt-mars të këtij viti, Kohavisioni ka raportuar për punësimin e familjarëve të partive në pushtet në Telekomin e Kosovës.