Arbëri

Vuçiq: Vonesat në bisedimet me Kosovën mund t’i vënë zjarrin Ballkanit

Descriptive Text

Dështimi për të rinisur bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve mund të destabilizojë rajonin e Ballkanit perëndimor i cili ende po ringjallet nga luftërat e viteve të ’90-ta, ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në një intervistë për Reutersin.

Njëzet vjet pas bombardimeve të NATO-s ndaj ish-Jugosllavisë për të ndalur sulmet brutale të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës, bisedimet janë bllokuar.

Dy vendet duhet t’i normalizojnë plotësisht marrëdhëniet para se të mund të vazhdojnë tutje rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Çdo ditë vonese mund të krijojë kushte në të cilat një shkëndijë mund t’i vë zjarrin rajonit. Shtetet Perëndimore duhet ta dinë këtë”, ka thënë Vuçiqi, transmeton Koha.net.

“Ky është rreziku... kur ushqehen ndjenjat nacionaliste”.

Si kundërpërgjigje ndaj përpjekjeve të Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, Prishtina vendosi taksë 100 për qind ndaj mallrave të importuara nga Serbia, veprim i cili mund t’i kushtojë ekonomisë së Serbisë 600 milionë euro çdo vit, rreth 0.4 për qind të GDP-së.

Për të rinisur dialogun, Serbia kërkon heqjen e kësaj takse, hap i mbështetur edhe nga BE-ja e SHBA-ja.

Se cila do të mund të jetë zgjidhja, mbetet e paqartë. Si Vuçiqi ashtu edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kanë shpërfaqur idetë për “korrigjim kufijsh” apo “delimitim” – terme këto të interpretuara nga analistët si shkëmbime të territoreve.

Perëndimi e sheh integrimin e tërë rajonit në BE dhe NATO si mënyrë për të ruajtur stabilitetin rajonal.

“Hyrja jonë në Bashkimin Evropian varet nga dialogu me Prishtinë dhe në atë nëse ne një ditë do të mund të arrijmë një marrëveshje”, tha Vuçiqi në këtë intervistë, duke shtuar se pret nga Gjermania, Franca apo nga BE-ja si tërësi të jenë më aktive në procesin negociator.

“Mendoj se do t’i shohim disa prej iniciativave të tyre në të ardhmen”, tha ai, pa dhënë detaje.

Vuçiqi, në pushtet që nga viti 2012, ka thënë se nuk e ka në plan të japë dorëheqje apo të thërrasë zgjedhje të parakohshme, diçka që po kërkohet nga mijëra opozitarë në protestat që nisën dhjetorin e kaluar e që e akuzojnë qeverinë për nepotizëm, korrupsion dhe shkelje të lirive të mediave, diçka që ai mohon.