Arbëri

Veseli në AKK: Nuk do t’i tolerojmë prirjet e sëmura të nepotizmit, që po lëkundin besimin në shtet

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka paralajmëruar masa të ashpra ndaj korrupsionit dhe nepotizmit.

Gjatë një vizite në Agjencinë Kundër Korrupsion, ai ka thënë se ky institucion po bën një punë të mirë dhe apolitike, derisa ka paralajmëruar masa të ashpra ligjore në luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit.

Kreu i Kuvendit tha se korrupsioni ka filluar të bëhet psikologjik brenda familjeve duke i shkaktuar shtetit krizë të besimit.

“Prirjet e sëmura që nuk po ndalen dhe po duan ta vejnë në dyshim besimin në shtet, nuk do t’i tolerojmë dhe do t’u përgjigjemi siç duhet. Do të ndërmerren veprime dhe hapa për të ndërtuar politika dhe nxjerrë ligje të ashpra të cilat nuk janë parë asnjëherë në Kosovë”, theksoi Veseli.

Ai përsëriti që do ketë ndëshkime të ashpra edhe për rastet e fundit që kanë ndodhur me nepotizmin.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ndërkaq, i konsideroi pozitive ndryshimet në Ligjin për deklarimin e pasurisë, në bazë të të cilave është dyfishuar numri i zyrtarëve që do ta deklarojnë pasurinë.

“Dyfishimi i kësaj liste do ta rris transparencën dhe do ta forcojë llogaridhënien para qytetarëve”, tha ministri Tahiri.

Shaip Havolli, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit, tha se Kuvendi i Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë kanë dhënë kontribut të çmuar në zhvillimin e kësaj agjencie.

Ai tha se në takim u diskutua lidhur me rolin, punën dhe sfidat e agjencisë, arritjet gjatë këtij viti dhe zbatimin e Ligjit të ri antikorrupsion, por edhe të ligjeve të tjera që lidhen me këtë fushë.​