Arbëri

OSHP-ja letër Kuvendit: Po përballemi me presione nga Policia dhe Prokuroria

Foto: Driton Paçarada / Koha

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) i ka dërguar një letër Kuvendit të Kosovës, konkretisht Komisionit për Buxhet dhe Financa, përmes së cilës ka ngritur shqetësimin rreth “presioneve që po ua bën Policia dhe Prokuroria”.

Një përmbledhje e kësaj letre është lexuar gjatë mbledhjes nga kryetari i Komisionit, Lumir Abdixhiku. Të pranishëm kanë qenë edhe drejtues të OSHP-së.

Abdixhiku ka thënë se OSHP-ja, sipas letrës, sidomos kohët e fundit është duke u përballur me “presione të mëdha, të cilat janë duke e penguar këtë institucion në ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive në mënyrë efikase, të pavarur dhe të paanshme”, raporton “Koha Ditore”.

Në rast se nuk ndërpriten këto presione, sipas Abdixhikut, bordi i OSHP-së ka paralajmëruar se mund të japë dorëheqje.

Letra është pritur me shqetësim nga vetë Abdixhiku, por edhe nga deputetët e tjerë. Është kërkuar që letra të votohet së bashku me raportin e punës së OSHP-së për vitin 2018, mirëpo deputetët nuk e kanë miratuar, duke gjetur vërejtje tek raporti dhe jo tek letra.

Për pasojë, Abdixhiku ka thënë se shqetësimet që janë adresuar në letër do t’i ngre si çështje Grupi i tij Parlamentar ditëve në vijim.

Bazuar në letrën e OSHP-së, një kopje të së cilës e posedon “Koha Ditore”, thuhet se anëtarët e OSHP-së pothuajse për çdo vendim që marrin në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive të tyre, ftohen për t’u intervistuar nga ana e Policisë dhe Prokurorisë.

“Pothuajse për çdo veprim që merret nga ana e OSHP-së, Policia me vetë iniciativë dhe pas ankesave të palëve, kërkon dosjen e tenderëve dhe vendimet e marra nga OSHP-ja. Një qasje e tillë e institucioneve ishte kritikuar edhe nga Komisioni Evropian përmes Raportit të Progresit për vitin 2018”, thuhet në letër.

“Përmes kësaj shkrese duhet të tërheqim vëmendjen se nëse një praktikë e tillë vazhdon dhe nuk ndalet, ne Bordi i OSHP-së nuk do të kemi tjetër rrugëdalje veçse të shqyrtojmë seriozisht largimin nga këto pozita. Institucionet shtetërore nuk mund dhe nuk duhet të luajnë me integritetin personal të zyrtarëve publikë dhe integritetin e institucionit, siç është rasti në OSHP”, përmbyllet letra.