Arbëri

Përshkallëzohet protesta tek Unaza e Re në Tiranë

Descriptive Text

Protesta tek Unaza e Re në Tiranë është përshkallëzuar mbrëmjen e kësaj të hëne, pasi banorët e kësaj zone kanë bllokuar si çdo ditë rrugën.

Por protesta e sotme nuk është mbyllur me bllokimin për 1 orë të rrugës, ashtu siç ka ndodhur për më shumë se 100 ditët e fundit.

Bllokimi i rrugës është bërë prej orës 17:00, banorët nuk janë larguar nga rruga, pasi sipas tyre aty ndodheshin efektivë të FNSH e kanë pasur frikë për arrestime.

Rruga është liruar pak pas orës 21:00, vetëm pasi në vendngjarje ka mbërritur kreu i PD, Lulzim Basha, i cili theksoi se prania e FNSH ka qenë me urdhër politik për të terrorizuar banorët, transmeton TCH.

“Pushteti ilegjitim i ngritur mbi votën e vjedhur nga bandat po u shërben bandave. Policia ka marrë urdhër që të shoqërojnë banorët që kanë mbi 4 muaj që protestojnë natë për natë për të mbrojtur banesat e tyre, nga afera më korruptive, për të cilën sot duhet të ishte në burg Damian Gjiknuri dhe duhet të ishte marrë i pandehur Edi Rama”, tha Basha.

Përmes një statusi në Facebook ka reaguar edhe ish-kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, i cili thotë se policia e FNSH janë dërguar për të arrestuar njerëzit e thjeshtë

“Po këta të pacipët e qeverisë,që çojnë gjithë policinë e Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë për të arrestuar njerëzit e thjeshtë te Unaza e Re që thjesht mbrojnë shtëpitë e tyre, recepsionistin, që përlante 30 milionë euro nuk e kapin dot, as komisaret e policisë që bënin trafik droge nuk i kapin dot. Çfarë qeveri maskarenjsh”, shkruan Vasili.