Arbëri

Lluka: Bordi i Telekomit të merret me humbjet dhe kontratat e dëmshme, jo me politikë

Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Valdrin Lluka, ka reaguar ndaj deklaratës së Bordit të Telekomit, që këtë të parin e cilësoi tendencioz në deklarimet e tij publike.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Lluka ka thënë se “Bordi i ndërmarrjes publike Telekomi Sh.A. duhet të merret me menaxhimin e ndërmarrjes në fjalë, të sigurohet që punësimet e jashtëligjshme të ndalohen, të rishikojë kontratat e dëmshme si dhe të adresojë humbjet e mëdha që kjo ndërmarrje po i realizon... dhe jo të merret me politikë”.

“Ministria që unë drejtoj, do të kërkojë përgjegjësi nga çdo bord i ndërmarrjeve publike për keqmenaxhim dhe dëmtim të aseteve të Kosovës. Në të njëjtën kohë, edhe unë do jap përgjegjësi për punën time para qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë ministri Lluka.

Përmes një reagimi, Bordi i Telekomit të Kosovës, për të cilin tash e disa javë Kohavisioni është duke raportuar për punësimet partiake në të, ka reaguar përmes një komunikate dërguar mediave. Aty Bordi akuzon ministrin Lluka, për “deklarime tendencioze”. LEXO MË SHUMË

Bordi po ashtu akuzon edhe mediat duke thënë se po ndikojnë negativisht në satisfaksionin e konsumatorit dhe direkt po e dëmtojnë shumë afarizmin e kompanisë.

Lexo edhe: Telekomi i pushtetit

Lluka tha mbrëmë në “Puls” të KTV-së se humbja vjetore në Telekom është rreth 14 milionë euro. Ai foli gjatë për gjendjen e mjerueshme të Telekomit, humbjen që ka pësuar dhe punësimet e fundit politike e familjare.

“Në Telekom është situatë për të qajtë. Nëse ka nepotizëm është e papranueshme. Te rasti i parë që ka punësuar 4 fëmijë, ne kemi marrë menjëherë procedurat për shkarkim, e ai dha dorëheqje (Rasti i Osman Ejupit). Jemi në kohën kur po bëjmë vlerësimin e performancës së Bordit. Ka indikacione sa i përket rritjes së qarkullimit. Për punësimet e fundit kemi kërkuar përgjegjësi nga Bordi. Për mua, janë të paarsyeshme. Rreth 2300 ishin me drejtorin e kaluar të Bordit, ndërsa tani rreth 2600. Kjo po e rrezikon Telekomin. Çdo mbingarkesë në Telekom e pengon performancën e tyre”, tha tutje Lluka. LEXO MË SHUMË