Arbëri

OEK-u skeptik në zbatimin e marrëveshjeve Kosovë-Shqipëri, Limaj thotë se janë në rrugën e duhur

Descriptive Text

Zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara mes Kosovës dhe Shqipërisë po shihet me skepticizëm nga Oda Ekonomike e Kosovës.

Në një përgjigje për Koha.net, kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, ka thënë se ngecja në zbatimin e këtyre marrëveshjeve po bëhet për shkak të mungesës së një qasje konsistente për t’u arritur ato që nënshkruhen.

“Nëse i shohim efektet e deritanishme, kuptojmë që nuk ka shumë rezultate nga marrëveshjet e tilla. Zbatimi i këtyre marrëveshjeve po ngec për faktin se nuk ka një qasje konsistente për të arritur atë që proklamohet në kuptimin e bashkëpunimit ekonomik. Shpesh nën presion të ngjarjeve të caktuara ka vullnet për të nënshkruar marrëveshje por kjo nuk përcillet tutje në implementim”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se nga moszbatimi i këtyre marrëveshjeve Kosova po humb më shumë.

“Ne besojmë që Kosova po humb më shumë duke marrë parasysh se në anën e Kosovës nuk adresohen shumë barriera jotarifore nga kompanitë e Shqipërisë, ndërsa nga ana e kompanive kosovare gati çdo ditë kemi kërkesa për të sqaruar shumë procedura dhe pengesa që janë në kalimin e mallrave nga Kosova në Shqipëri”, ka thënë ai.

Ndërkaq koordinatori kombëtar për mbikëqyrjen e zbatimit të këtyre marrëveshjeve, Fatmir Limaj, ka thënë për Koha.net se marrëveshjet e nënshkruara në nëntor të vitit të kaluar kanë filluar të zbatohen.

“Disa marrëveshje kanë filluar të zbatohen, siç janë: Pika Doganore në portin e Durrësit, kontrolli doganor në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë-Vermicë, njohja dhe unifikimi i modeleve të certifikatave shëndetësore, veterinare dhe fitosanitare, patentë shoferët dhe Romingu”, ka thënë ai.

Sipas tij, nuk ka ndonjë pengesë në realizimin e marrëveshjeve dhe se shumë shpejtë do të pranojnë raport nga ministritë përkatëse për të parë nivelin e zbatueshmërisë së tyre.

“Zbatueshmëria e marrëveshjeve është në rrugë të duhur. Deri me tani nuk është identifikuar ndonjë pengesë që do të rrezikonte implementimin e tyre. Tani jemi në pritje të raportimit të të gjitha ministrive përgjegjëse rreth progresit të këtyre marrëveshjeve dhe besoj që shumë shpejt do ta kemi një pasqyrë të përgjithshme”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq nënkryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadergjonaj, ka thënë se qeveria duhet t’i qaset me seriozitet realizimit të marrëveshjeve të nënshkruara.

“Qeveria duhet të angazhohet më shumë në realizimin e tyre, secila ministri në fushën e saj duhet t’i merr obligimet që i takojnë. Nëse duhet të ndryshohet apo të plotësohet ndonjë ligj ne e kemi vullnetin për ta bërë në kuvend. Nuk dua të paragjykoj se marrëveshjet e nënshkruara në mbledhjen e fundit do të kenë fatin e marrëveshjeve paraprake, të cilat jemi në dijeni se kanë hasur në vështirësi për tu realizuar”, është shprehur ajo.

Ndërkaq deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, në emisionin “Express Intervista” pati kritikuar ndarjen e 120 mijë eurove nga qeveria për organizimin e mbledhjes së dy qeverive.

“Për mbledhjen e dy qeverive janë ndarë 120 mijë euro ku është e paqartë se çka kanë mund me shpenzu kaq shumë dy qeveri për një ditë”, pati thënë ajo.

Sipas koordinatorit Limaj, deri më tani janë 81 marrëveshje të nënshkruara nga të gjitha mbledhjet e mbajtura deri më tani në mes të dy qeverive. Ndërkaq nëntë marrëveshjet e nënshkruara në mbledhjen e fundit, mund t’i gjeni në linkun e mëposhtëm.