Arbëri

Apeli kthen sërish në rigjykim rastin e Zahir Bajramit dhe djalit të tij

Descriptive Text

Gjykata e Apelit sërish e ka kthyer në rigjykim rastin e zyrtarit të Qeverisë, Zahir Bajrami, i dënuar për mashtrim nga shkalla e parë. Së bashku me Bajramin, Gjykata Themelore e pati dënuar edhe djalin e tij Adrian Bajrami.

Zahir Bajrami, i pezulluar nga pozita e drejtorit për Buxhet dhe Financa në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, ishte dënuar me një vit burgim efektiv, pasi ishte shpallur fajtor për veprën penale te mashtrimit. Kjo është hera e dytë që Apeli e rrëzon gjykimin e shkallës se parë për këtë rast, raporton “Koha Ditore”.

Fillimisht Zahir Bajrami ishte dënuar për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” në fundin e vitit 2017. Apeli pati konstatuar se gjykata e shkallës se parë ka vlerësuar gabimisht provat kur e ka dënuar për korrupsion zyrtarin e pezulluar. Pas kthimit në rigjykim prokurori pati rikualifikuar përgjegjësinë penale të Bajramit. Nga “keqpërdorim i detyrës zyrtare” në rigjykim ai ishte gjykuar për mashtrim. Por pas vendimit të shkallës se parë se ky zyrtar ka mashtruar, Apeli përsëri ka vërejtje tek aktgjykimi.

Sipas vendimit të Apelit që e ka parë gazeta, kolegji i gjyqtarëve të shkallës se dytë vlerëson se gjyqtarët në Themelore që janë marrë me këtë rast në asnjë element nuk kanë vërtetuar pretendimet e prokurorit pas rikualifikimit të veprës penale.

Po ashtu, sipas të njëjtit vendim edhe dënimi i djalit të tij nga gjykata është bërë vetëm duke u bazuar në një deklaratë pa ballafaqim dhe vërtetim të provave tjera.

Sipas aktakuzës, Zahir Bajrami, derisa ishte drejtor për buxhet dhe financa në zyrën e Kryeministrisë së Kosovës, që nga viti 2012 disa here ishte takuar me të dëmtuarin Esad Musliji, të cilit i kishte premtuar se përmes pozitës së tij, do të ndikojë në Gjykatën e Apelit për heqjen e dënimit prej tre vitesh burgim.

Sipas prokurorisë, Zahir Bajrami, më 9 shkurt 2017, përmes djalit të tij, të akuzuarit Adrian Bajrami, të dëmtuarit Esad Musliji, ia kishte marrë nga 10 mijë euro, duke i shkaktuar dëm , ndërsa për vete kishte përfituar pasuri të kundërligjshme.