Arbëri

Modeli maqedonas i 20% në Shqipëri për mësim në gjuhë të pakicave

Ministria e Arsimit dhe ajo e Brendshme kanë hartuar një draft që është hedhur për konsultim publik që prej fillimit të muajit mars.

Projektvendimi parashikon që në institucionet arsimore ekzistuese, ku gjuha e arsimimit është gjuha shqipe, nxënësit që i përkasin pakicave kombëtare të arsimohen,të studiojnë historinë, traditat dhe kulturën në gjuhën e tyre, sipas kurrikulave dhe programeve të miratuara nga Ministria e Arsimit.

Por cilat janë disa prej kritereve që parashikohen në projektvendim?

Numri personave që i përkasin një pakice kombëtare duhet të jetë jo më pak se 20% e numrit të përgjithshëm të banorëve të njësisë administrative që i përkasin, ndërsa numri i nxënësve në një klasë që do të arsimohen në gjuhën e pakicës kombëtare që i përkasin duhet të jetë jo më pak se 15.

Edhe pse projektvendimi vjen si propozim i ministres Besa Shahini dhe ministrit Sandër Lleshaj, për herë të parë u artikulua nga ish-ministrja Lindita Nikolla në shtator të vitit të kaluar.

Në Shqipëri numërohen 9 minoritete, ai grek, serb, malazez, maqedonas, rom, egjiptian, boshnjak, bullgar si dhe vllah/arumun.

Projektvendimi hartohet në kuadër të angazhimit të qeverisë për përmbushjen e standardeve ndërkombëtare për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të pakicave kombëtare.