Arbëri

Qosja: Haradinaj u kthye çlirimtar në Kosovë

Akademiku dhe shkrimtari Rexhep Qosja ka shkruar një status në profilin e tij në “Facebook”. Qosja thotë se lirimi i Ramush Haradinajt nga gjykata franceze tregon pafajësinë e tij. Sipas Qosjes, Haradinaj është një çlirimtar dhe se sot për të është gëzuar mbarë Kosova dhe shqiptaria.

Shkrimi i Rexhep Qosjes: Shpreh gëzimin tim dhe urimin për kthimin fitimtar të Ramush Haradinajt në Kosovë. Kthimi i tij në Kosovë sot është fitorja e radhës, është fitore e madhe e tij në gjykatat evropiane. Është kjo fitore e madhe e tij sepse është fitore edhe e krejt Kosovës. Është kjo fitore e madhe e Ramush Haradinajt sepse është fitore juridike dhe etike. Dhe, është kjo fitore e madhe e dhënë prej gjykatës së një populli të madh – të popullit francez. Shumë më tepër se me madhësinë e territorit a me numrin e madh të banorëve, një popull është i madh me idetë, me letërsinë, me artet, me shkencën, me kulturën e tij. Dhe me drejtësinë e tij. Populli francez është popull i madh. Është njëri prej popujve më të mëdhenj në botë me të gjitha këto, prandaj, edhe me drejtësinë e tij. Dhe, kjo u dëshmua qartë edhe kësaj radhe. Drejtësia e tij edhe kësaj here përmbysi dyshimet e paragjykimet e shumëkujt.

Ramush Haradinaj ka shumë arsye të mburret me të drejtën që iu dha prej drejtësisë së madhe shumëshekullore të Francës së madhe. Me Ramushin kemi arsye të mburremi të gjithë ne. Gëzime e suksese të reja në Kosovën për të cilën ti, Ramush, me familjen tënde të madhe, ke bërë shumë, aq shumë sa e meriton çdo fitore e çdo drejtësi!