Arbëri

Zvicra do të vazhdojë të mbështesë BQK-në

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ka pritur në takim, Ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet. Qëllimi i takimit, siç njofton komunikata nga BQK-ja, ishte avancimi i bashkëpunimit të ndërsjellë në implementimin e projekteve të përbashkëta, si dhe njoftimi i Ambasadorit me zhvillimet e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe prioritet strategjike zhvillimore.

Guvernatori Mehmeti me këtë rast ka falënderuar shtetin zviceran për mbështetje të disa projekteve përmes, Sekretariatit Shtetëror të Zvicrës për Çështje Ekonomike (SECO) duke u nisur nga programi që kontribuon në rritjen e qasjes në financa dhe përfshirjen financiare përmes rritjes së përdorimit të llogarive të transaksioneve dhe instrumenteve elektronike të pagesave, duke përmirësuar kështu edhe efikasitetin e pagesave me pakicë në vend dhe remitancave ndërkombëtare.

“Ky program do të ndihmojë shumë në ofrimin e shërbimeve të pagesave më të lira dhe lehtësisht të arritshme për diasporën dhe familjet e tyre, si dhe për popullatën e përgjithshme të Kosovës. Shërbimet e pagesave në rrethana të caktuara mund të lehtësojnë qasjen në shërbime të tjera financiare, duke avancuar kështu përfshirjen financiare dhe shpesh janë të një rëndësie kritike në ofrimin efikas të këtyre shërbimeve”, ka thënë Guvernatori Mehmeti.

Nga ana tjetër, Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet ka shprehur kënaqësinë për kontributin që Zvicra ka dhënë në avancimin e punës së BQK-së, duke cekur që ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe më tutje.

Në kuadër të programit, Sekretariati Shtetëror për Çështje Ekonomike (SECO), ka ndihmuar Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës në rishikimin e ligjeve dhe rregulloreve, duke përfshirë edhe kuadrin ligjor dhe rregulloret për ofrimin e shërbimeve të parave elektronike në Kosovë.

Gjithashtu, BQK-ja është duke u mbështetur, përmes Sekretariatit Shtetëror për Çështje Ekonomike (SECO) në azhurnimin e Vizionit dhe Strategjisë së Sistemit Kombëtar të Pagesave, sigurimit të programit të edukimit financiar për dërguesit dhe marrësit e remitancave, duke përfshirë inkurajimin e transferimit të remitancave në një llogari bankare ose një llogari pagese.

Po ashtu është realizuar studimi i kostos së pagesave me pakicë në Kosovë (bazuar në metodologjinë e ËBG-së "Udhëzues praktik për matjen e kostove të pagesave me pakicë").