BE i kërkon opozitës, “Stop dhunës! Urgjentisht platformë kombëtare për dialog”

BE i kërkon opozitës, “Stop dhunës! Urgjentisht platformë kombëtare për dialog”

15 March 2019 13:37

Mundësitë për një tubim të dhunshëm ditën e nesërme, kur opozita do të dalë në shesh për të kërkuar rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës janë të mëdha dhe kjo ka bërë që pas ambasadës Amerikane të reagojë edhe delegacioni i BE-së në Tiranë.

Teksa SHBA fshikulloi opozitën duke kërkuar vetë-përmbajtje dhe ritheksoi se qeveria e Parlamenti janë legjitim, BE bën thirrje urgjente që palët të ulen në një tryezë bisedimesh dhe të arrihet konsensus për të ardhmen evropiane të Shqipërisë.

“Tani është shumë urgjente që të kapërcehet situata politike aktuale duke krijuar një platformë kombëtare për dialog ndërmjet të gjitha palëve të interesuara, edhe duke pasur parasysh zgjedhjet e ardhshme lokale të qershorit. Shqipëria ka nevojë për një dialog ndërpartiak për reformat më urgjente, duke përfshirë reformimin e kuadrit ligjor zgjedhor në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODIHR-it”, thekohet në reagimin e delegacionit të BE.

Ambasadori Luigi Soreca gjithashtu nënvizon se nuk do të tolerohen rastet e dhunës në protestë.

“Në prag të protestës së 16 marsit, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë rithekson rëndësinë e të drejtës themelore të të gjithë qytetarëve shqiptarë për të demonstruar. Kjo e drejtë është një shtyllë qendrore në çdo shoqëri demokratike, por duhet ushtruar në mënyrë paqësore, pa përdorur dhunën. Asnjë formë e nxitjes së dhunës nuk është e tolerueshme. Ne u bëjmë thirrje edhe një herë të gjithë liderëve të partive që të tregojnë përgjegjësi për të shmangur çdo përshkallëzim gjatë protestave”, thuhet në njoftimin për mediat.

Sa i përket djegies së mandateve parlamentare, përfaqësuesit e Brukselit artikulojnë një konstatim të shprehur edhe më parë, duke thënë se “vendimi pengon seriozisht funksionimin e demokracisë në Shqipëri dhe ndikon në integrimin e vendit në BE – një perspektivë që e duan plotësisht 93% e qytetarëve shqiptarë”.

“Ne vazhdojmë të mbështesim ata që janë të angazhuar në procesin demokratik në Parlament, gjithashtu në mbrojtjen e interesave të popullsisë shqiptare që dëshiron të vazhdojë të ecë drejt BE-së. Që prej qershorit të kaluar është bërë progres, veçanërisht në reformën në drejtësi, si dhe në luftën kundër krimit të organizuar, por ka ende shumë punë për të bërë në tre muajt e ardhshëm”, nënvizohet në reagimin e delegacionit të BE.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme