VV-ja nuk dallon në logjikë dhe funksionim nga PDK-ja, thotë Tërmkolli Foto: Ilustrim

VV-ja nuk dallon në logjikë dhe funksionim nga PDK-ja, thotë Tërmkolli

15 March 2019 00:11

Derisa ka folur për atë se si “komandantët kanë qenë në gjendje ta djegin shtetin, për ta ruajtur pushtetin”, Melihate Tërmkolli në Interaktiv të KTV-së, ka folur edhe për “pamundësinë që LDK-ja dhe Vetëvendosje të jenë partnerë në bashkëqeverisje”.

“Deshën me djegë shtetin, përfshirë edhe Vetëvendosjen, e cila në shumë aspekte nuk dallon nga këto partitë e tjera”, ka thënë Tërmkolli.

Ajo ka thënë se bashkë me VV-në, LDK-ja është në opozitë, por thotë se “nuk e di a është partner”.

Tërmkolli: Komandantët kanë qenë në gjendje ta djegin shtetin për ta ruajtur pushtetin

“Kryetari Mustafa s’po e takon vetëm Kurtin, po i takon të gjithë, por kjo nuk nënkupton që janë partnerë”, ka thënë ajo.

Kur është pyetur për koalicion të mundshëm me partinë e Kurtit, Tërmkolli ka thënë se “nuk e di a ka ma keq se me PDK-në”.

“Por personalisht nuk e shoh partner. Sepse nuk ka ndonjë dallim të madh prej të tjerëve në logjikën e funksionimit, si dhe në aspektin ideologjik edhe praktikë. Ndoshta në kapje të shtetit nuk e kanë pasur mundësinë, por në aspektet tjera nuk dallojnë”, ka thënë ajo, përcjell Koha.net. “Nuk e përjashtoj, edhe mund të ndodhë, por nuk e shoh si partner të mundshëm me të cilën mund të shkojmë përpara, sepse logjika e deritanishme e saj ka qenë kryesisht bllokuese”, ka shtuar më tej.

Ka kritikuar edhe bashkëpartiakët e saj që e proklamojnë partneritetin me VV-në.

“Ata njerëz që e njohin LDK-në, që e njohin shpirtin dhe si merr frymë LDK-ja nuk i kam dëgjuar që thonë se e duan partneritetin me Vetëvendosjen. Ka në LDK njerëz që nuk kanë ekspertizën e nevojshme dhe mund të thonë ashtu. Prapë po them se edhe mund të ndodhë”, ka thënë ajo.

Ka folur edhe për qëndrimin e saj kundër deklarimit të Albin Kurti që kishte kujtuar ish-kryeministrin serb Zoran Gjingjiq në përvjetorin e vrasjes si lider ndryshe nga ata që janë sot në Serbi. Sipas Tërmkollit, Gjingjiqi dhe presidenti i sotëm serb Aleksandar Vuçiq nuk dallojnë në qëndrime.

“Asnjë milimetër nuk ka dallim me Vuçiqin. Merreni shiheni. Deri sa nuk është vra ai kishte bërë njëjtë. E kishte një program ‘strategjia për Kosovën’ dhe elaboronte dy ide, federalizmin e Kosovës dhe ndarjen etnike të saj. Ku është dallimi mes Vuçiqit dhe Gjingjiqit. Këtu kam shprehur habinë”, ka thënë ajo.

Krejt në fund ajo ka komentuar edhe zgjedhjet brenda LDK-së ku ka thënë se partisë i duhet kryetar i ri me dinamikë të re. Ka shtuar se “s’do të ketë më ndarje në LDK”.

“Besoj në kryetar të ri. Preferoj një kryetar të ri, për shumë arsye sepse i duhet frymë më e gjallë LDK-së sidomos në periudhat ku po hyjmë. LDK-ja duhet të zë hapin dhe kohën për t’u vu në krye të zhvillimit të vendit sepse s’ka zhvillim të vendit pa LDK-në. Të mos gëzohet askush. S’ka më ndarje në LDK. Mund të ketë të pakënaqur, por ndarje të 2006-s s’ka më”, ka përfunduar ajo.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme