Ahmeti thotë se Ekipi negociator nuk shkoi tinëz në Bruksel

Ahmeti për VV-në: Nuk bën me na shit moral disa njerëz që e dimë kush janë dhe çka kanë bërë

14 March 2019 20:25
21:46

Shpend Ahmeti në Rubikon të KTV-së i bëri thirrje ish-kryetarit të tij, kryetarit aktual të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ballafaqim televiziv.

“Po kërkoj ballafaqim me Albin Kurtin në televizion sepse kam pyetje pastaj edhe unë”, tha Ahmeti.

“Një fitore e ka pasur Vetëvendosje dhe pastaj katër vite është rritur përmes rezultateve në Prishtinë, asnjëherë se kam përmendur këtë”, ka thënë ai.

“Nuk bon bre qashtu bash me na shit moral disa njerëz që e dimë kush janë dhe çka kanë bërë”, ka thënë Ahmeti.

21:37

Shpend Ahmeti, Prishtinën ‘full time’, punët tjera ‘part time’

Shpend Ahmeti në një intervistë për Rubikon të KTV-së tha se ndonëse aktualisht po ushtron tri funksione, atë të bashkëkryesuesit të Ekipit negociator, kryetarit të Prishtinës dhe kryetarit të PSD-së, nuk e ka lënë komunën prapa.

Madje, sipas tij, çdo ditë është në komunë, përveç rasteve kur nuk është fizikisht në Kosovë.

“Shumicën e kohës dhe të ditës e kaloj në komunën e Prishtinës... pjesa e delegacionit është politike”, ka thënë Ahmeti duke theksuar se deri tash funksioni i bashkëkryesuesit nuk i ka marrë shumë kohë.

“E mbaj përgjegjësinë kryesore për premtimet që i kam dhënë në fushatë në komunën e Prishtinës, të tjerat janë angazhime politike”, ka thënë ai.

“Punën në Komunë jam duke e bërë ‘full time’. Nuk ka asnjë ditë që nuk jam në komunë përveç ditëve që nuk jam në Kosovë”, shtoi Ahmeti, duke shtuar se përfshirja e PSD-së në dialog ka qenë e domosdoshme për ta zhbllokuar procesin.

“Arsyeja pse më kanë vendosur mua është sepse ka qenë në nivel të kryetarëve të subjekteve dhe jo pse unë mund ta bëj një punë më mirë se Visar Ymeri”, theksoi Ahmeti.

21:04

Ahmeti:Nuk e pranojmë njohjen nga Serbia nëse na kërkohet kompromis i dhimbshëm

Bashkëdrejtuesi i Ekipit negociator ka thënë se në dialog nuk do të pranojnë me çdo kusht marrëveshjen me Serbinë.

“Nuk është e thënë që do ta pranojmë njohjen nga Serbia në rast se për këtë na kërkohet të bëjmë kompromis të dhimbshëm”, ka thënë Ahmeti.

Tutje ai ka thënë se rara pezullimit të taksës, Kosova duhet të vë kushte dhe përmes saj ta fuqizojë edhe më tutje qëllimin e taksës.

“Unë jam për negociim. Do të ishte gabimi më i madh nëse e heqim pa vënë asnjë kusht”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka thënë se “nuk e sheh taksën si qëllim në vetvete dhe as që ka pas efektin ekonomik, e ka pas efektin politik dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve”.

“Mendoj që me taksë është diskutu shumë më shumë (korrigjimi i kufijve) dhe nëse ky ka qenë qëllimi i kryeministrit Haradinaj atëherë këto janë efektet pozitive”, tha ai.

20:42

Ahmeti thotë se Haradinaj po ia del të pengojë idenë e Thaçit për ndarje të Kosovës

Shpend Ahmeti, bashkëkryesues i Ekipit negociator për dialogun me Serbinë, mendon që kryeministri Ramush Haradinaj me këmbënguljen që të mbajë taksën ndaj mallrave serbe po ia del të pengojë idenë e presidentit Hashim Thaçi për ndarjen e Kosovës.

“Me mendjen time po. Për shkak që po ndalon këto takime ku është folur për këtë temë”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij, kryeministri Haradinaj është shumë i sigurt se qeveria nuk mund të bjerë.

20:32

Sipas Ahmetit, SHBA-ja nuk po e kërcënon por po e qorton Kosovën për taksën

Shpend Ahmeti, bashkëkryesues i Ekipit negociator për dialogun me Serbinë, ka thënë se gjatë të gjitha takimeve që kishin me përfaqësues të huaj, zyrtarë të lartë të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara, u është kërkuar pezullimi i taksës.

Sipas tij, SHBA-ja nuk e ka kërcënuar Kosovën me masa ekonomike apo të sigurisë, por “i ka dhënë qortim prindëror”.

“Taksa nuk duhet hequr pa u plotësuar disa kushte që Kosova e ka mundësinë t’i vendosë”, ka thënë Ahmeti.

“Janë përmendur rotacionet ushtarake”, ka thënë ai duke folur për takimin që kishin me ambasadorin amerikan në Kosovë. “Ambasadori e ka bërë të qartë që nuk është as kërcënim dhe as nuk është qëndrim zyrtar i Amerikës”.

“Megjithatë vërehet qartë një irritim, pakënaqësi që Shtetet e Bashkuara e kanë me Kosovën, gati se një qortim prindëror”, ka shtuar ai.

Ai e ka quajtur kërkesë aspak të drejtë presionin që po i bëhet Kosovës për heqjen e taksës. Sipas tij Serbia bën më shumë veprime dhe ndaj saj s’ka presion si ndaj Kosovës.

20:25

Ahmeti thotë se Ekipi negociator nuk shkoi tinëz në Bruksel

Bashkëkryesuesi i Ekipit Negociator, Shpend Ahmeti në Rubikon të KTV-së ka thënë se nuk kanë shkuar fshehurazi në Bruksel në ditët e fundit për takim me ekip të Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Sipas tij, vetë fakti që kanë fluturuar përmes një linje publike atëherë nuk ka qenë asgjë e fshehtë.

Ai bëri të ditur se janë takuar me një ekip ndërmjetësues.

“U takuam atje me ekipin ndërmjetësues, është një ekip që punon atje vazhdimisht. Kur ka nevojë takohemi edhe znj. Mogherini, kësaj here nuk jemi takuar me të”, tha Ahmeti në Rubikon të KTV-së duke theksuar se ishin atje vetëm për të dorëzuar zyrtarisht platformën e votuar në Kuvendin e Kosovës.

“Zakonisht ata nuk komentojnë se është diçka e mirë apo e keqe sepse gjithmonë na kanë thënë se janë vetëm ndërmjetësues. Ideja e tyre është që të merren pozicionet e Serbisë dhe Kosovës dhe të shohin se ku ka mundësi të ketë përafrim”, bëri të ditur Ahmeti.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Petrit16/03/2019 17:33

Ani me na shit moral, po kush din ma mire se ti me u munu me shit moral! I vogel more je ti me thirr Albinin me u ballafaqu me ty. Merru me bisedime ti se mire osht puna!!!

Shto koment

Të ngjashme