Ymeri pas raportit të DASH-it: Republikë e kapur dhe e korruptuar Foto: Ilustrim/Koha

Ymeri pas raportit të DASH-it: Republikë e kapur dhe e korruptuar

14 March 2019 19:31

Nënkryetari i PSD-së, Visar Ymeri, e ka komentuar raportin e fundit të DASH-it, ku u identifikuan shumë shkelje të të drejtave të njeriut.

“Republika e kapur dhe e korruptuar, shkak i shkeljeve të të drejtave të njeriut”, është shkrimi që Ymeri e ka publikuar në Facebook.

Ai thotë se raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit që vlerëson respektimin e të drejtave nëpër vende të ndryshme të botës ravijëzon disa probleme që janë shfaqur në Kosovë për periudhën raportuese.

“Ndër më shqetësueset mbeten korrupsioni, ekstradimi i shtetasve të huaj pa proces paraprak ligjor, si dhe pozita e pakicave etnike e shoqërore në Republikën e Kosovës. Natyrisht që rritja e korrupsionit është drejtpërdrejt e lidhur me shkeljen e të drejtave elementare të njeriut. Në mënyrë implicite, korrupsioni nënkupton cungim të mundësive për shumicën duke e përqendruar pasurinë/pushtetin në duart e pakicës”, ka shkruar Ymeri.

Tutje, ai thotë se ky lloj shteti është shtet i kapur, meqë korrupsioni është mekanizëm që, duke i përjashtuar procedurat demokratike e orientimin e politikave kah e mira e përgjithshme, e privatizon aparatin shtetëror për ta vënë atë në funksion të interesit të pakicës sunduese.

“Kur kësaj i shtohet edhe identifikimi etnik politik, atëherë formula është e gatshme. Tjetri, përherë i reduktuar në numër, shihet me dyshim dhe si rrezik. Kështu Republika e kapur dhe e korruptuar shndërrohet në të kundërtën e vet – në vend se demokraci gjithëpërfshirëse, prodhon oligarki sunduese; në vend rishpërndarje për mirëqenien e përgjithshme, prodhon zhvatje për pasurim të sunduesve”, ka përfunduar shkrimin në facebok Visar Ymeri.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme