Shqyrtohet mundësia e krijimit të grupeve të reja parlamentare, për të marrë nga dy vende në KQZ

Valmira Saraçi Sahatçiu 14 March 2019 19:16

Presidenti Hashim Thaçi, ende nuk ka dalë me vendimin se si do të jetë përfaqësimi i partive politike në KQZ.

Megjithatë, zyrtarë të partive të përfaqësuara në Kuvend thonë të kenë informacione se presidenti ka vendosur që 6 grupe parlamentare ta kenë nga një përfaqësues në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

KTV-ja ka pyetur zyrën e të parit të shtetit, por ata nuk janë përgjigjur për këtë çështje.

Por, partitë që janë pjesë e Kuvendit, kanë planifikuar edhe opsionin B.

KTV-ja merr vesh nga burime të afërta me këtë, se së paku dy grupe të mëdha parlamentare po planifikojnë që të ndahen në dy pjesë.

Kështu, ata do të formojnë edhe dy grupe të tjera parlamentare, njëra që do të kishte numër më të madh të deputetëve se PSD-ja, e tjetra që do të kishte më shumë se Nisma, në mënyrë që të marrin edhe nga një vend në KQZ.

Por, përballja e presidentit me Kushtetuesen duket se do të jetë e pashmangshme.

Mundësinë për ta dërguar në Kushtetuese presidentin, po e shqyrton edhe një i ri nga Podujeva.

Bunjamin Hoti ka thënë se ka tetë muaj që ai po pret për zëvendësim e kjo, sipas tij, është shkelje e të drejtave të funksionit që ia kanë besuar qytetarët për këshilltar komunal.

Si Hoti, po presin edhe 36 persona të tjerë nëpër komuna të ndryshme të Kosovës, si dhe një për deputet të Kuvendit.

Pjesa më e madhe e kuvendeve komunale kanë mungesë të paktën të një anëtari, pasi që ata që kanë lënë këtë detyrë nuk janë zëvendësuar ende.

Mungesa më e madhe është në Gjilan, ku nuk janë zëvendësuar ende 4 këshilltarë, kurse në Viti, Istog, Rahovec dhe Mitrovicë të Jugut nga 3 të tjerë janë në listën e pritjes.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme