Arbëri

Gërxhaliu për skenën politike: S’mund t’iu takojë lavdia e trimërisë në luftë dhe pafytyrësia në paqe

Descriptive Text

Safet Gërxhaliu, ekspert i ekonomisë, ka dhënë kritika të shumta për gjendjen aktuale në Kosovë dhe për gjendjen e Telekomit e punësimeve të të afërmve të partive politike në pushtet që kanë ndodhur aty së fundmi.

Ai ka thënë në Express Intervistën në KTV se s’mund të kishte asnjë vend ku do të mund të hartohej një strategji më shkatërruese për Kosovën se ajo që po i bëhet sot nga skena politike në vend.

“Jam duke i përcjellë ndodhitë apo aktualitetin e çrregulluar në Kosovë dhe kam ardhur në përfundim se sikur të ishte bë apel kudo në botë për të hartuar strategji për ta shkatërruar Kosovën s’do të kishte kush të mendonte më keq se ajo që e kemi bërë ne, në veçanti politika”, ka thënë ai.

Sipas Gërxhaliut, “edhe pse ekziston opinioni se shteti është i kapur, shteti nuk mund të jetë i kapur sepse mbi interesat e shtetit s’janë interesat e partive sepse s’mund t’u takojë edhe lavdia e trimërisë në luftë edhe pafytyrësia e paqes që po ndodh në Kosovë”.

“Paradoksi është ajo rreth Telekomit. Po shkoj në Britani, Gjermani, Itali, ekonomia më e madhe është Telekomi dhe një kompani si Telekomi i Kosovës të bie në këtë gjendje tregon sa është fatal politizimi i ndërmarrjeve publike për ekonominë, fatal për shtetin, dhe emërues i përbashkët është se sa është tragjike për të ardhmen e shtetit mungesa e respektimit të ligjit”, ka deklaruar më tej Gërxhaliu.

Ka thënë se strategjia “shkatërro – punëso – privatizo” është ajo që po e pret Telekomin. Sipas tij, ky fenomen s’duhet të analizohet veç në aspektin ekonomik e politik, por edhe atë psikologjik se çfarë mesazhi merr masa që s’është pjesë e krimit.

Në vitin 2009-2010, sipas Gërxhaliut, vlera e Telekomit ishte mbi 1.3 miliard euro. Nga pavarësia e deri tash, sipas tij, dështimi institucional e ka sjellë buzë dështimit total Telekomin. Ai ka thënë se pos Telekomit shumë ndërmarrje publike janë në funksion të grupeve politike.

“Kemi punësime shqetësuese, më shumë se 240 kontrata të reja dhe kjo tregon se ligji është veç vokabular për mediat e jo për t’u zbatuar. Duhet të ketë llogaridhënie, se po dëmtohet Kosova”, ka shtuar ai.

Sipas Gërxhaliut, nuk ishin dëgjuar kohë më parë deklaratat e ekspertëve të ekonomisë se Telekomi duhej privatizuar “sepse grupet e caktuara s’kishin fituar akoma atë që donin”.

“Tash thuhet se duhet kredi për ta sanuar gjendjen dhe për ta privatizuar. Kam dronë se tashmë dihet kush është blerësi. Duhet të thuhet e vërteta për Telekomin. Duhet pasur vullnet për veprime të mira e interesi, për fat të keq i partive politike është të punësojnë më shumë të afërm dhe që ta shkatërrojnë, t’ia humbin vlerën”, ka thënë ai.


Sipas Gërxhaliut, Kosova duhet të heqë taksën ndaj mallrave serbe.

Ai ka thënë se Kosova është në pozitë të vështirë sepse taksën e ka vendosur pa ndonjë strategji dalëse.

“Sot jemi në pozitë të vështirë. Një vendim i tillë duhet të ketë skenar hyrës, a-b-c. Duhet edhe analiza paraprake e strategji dalëse. Është problem strategjia dalëse, jo taksa. Ishte vendim politik, platformë zgjedhore që do të vërtetohet dhe grusht direkt për konsumatorët për përfitime të grupeve të caktuara të interesit. Duhet hulumtuar në dimensionin, politik, shoqëror”, ka thënë ai.

Sipas tij, në vend taksa është duartrokitur por “nuk kthehet gjithçka në votë sepse vetëdija është më e lartë se që mendohet”.

“Nuk mund të presë dikush vota po që se prishen marrëdhëniet me shtetet mike”, ka thënë ai.

Sa i përket efekteve në skenën e jashtme, sipas Gërxhaliut, taksa pos prishjes së raporteve me partnerët e Kosovës, “ka qenë penaltia më e mirë që Kosova ia ka dhënë Serbisë”.

“Nga kjo penalti, Serbia të gjithë aleatët e Kosovës i bëri aleatë të vet. U bë Serbai viktimë e ne fajtorë që shkelim raportet tona dhe CEFTA-n”, ka thënë më tej Gërxhaliu.

“Taksa duhet të evitohet, të pezullohet e të hapet mundësi e re për dialogun. Duhet dialog që bazohet në transparencë e ekspertizë e jo me njerëz të politizuar, që mund të jenë pjesë e shantazhit”, ka vazhduar ai.

Ai ka folur edhe për idenë e rikonstruktimit të CEFTA-s. Ka thënë se mosmarrëveshjet mes shumë shteteve brenda kësaj marrëveshje kanë sjellë një moment të ri “që duhet të shfrytëzohet dhe të ketë rikonstruktim”.

“Kemi sinkronizim të të gjitha odave ekonomike në rajon që të ketë dalje nga situata aktuale e duhet marrëveshje të re me pika kalimtare të përbashkëta e dokumente të reja”, ka thënë ai duke cekur se për Kosovën nënshkrues është UNMIK-u dhe se kjo duhet të ndryshojë.