Arbëri

Opozita do seancë të re për dëbimin e turqve, pushteti e quan raportin “jovalid”

Më 29 mars bëhet një vit prej kur nga Kosova u dëbuan në mënyrë të fshehtë e pa procedura 6 shtetasit turq, të kërkuar nga pushteti i Erdoganit.

Edhe një vit pas, përgjegjësia institucionale mungon, raporton KTV.

Për këtë pati reagim të ashpër nga tri shtete të fuqishme, Amerika, Britania e Gjermania, përmes ambasadave në Prishtinë.

Ata kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që të sigurojnë përgjegjësi të plotë për këdo që shkel ligjin duke ua rikujtuar liderëve shtetërorë që institucionet e sigurisë duhet të veprojnë vetëm brenda autoritetit kushtetues.

Ata kanë përmendur 31 shkeljet si gjetje të Komisionit hetimor parlamentar, raporti i të cilëve nuk arriti të votohej nga deputetët.

Gjetjet e këtij komisioni u deponuan edhe në Prokurorinë Speciale por anëtarë të Komisionit nga partitë në pushtet, thonë se ky raport nuk është valid meqë nuk mori pajtimin e shumicës së komisionit.

Por, partitë opozitare thonë se ata do të vazhdojnë të insistojnë që Kryesia t’ia zgjasë mandatin këtij komisioni, meqë për të njëjtën çështje kanë ngritur edhe padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ata po planifikojnë të thërrasin edhe një seancë të jashtëzakonshme për këtë çështje.

Ndërkohë, kryeministri Ramush Haradinaj, duke folur për rastin, ka thënë se askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë institucion i Kosovës nuk do të shkelë mbi të drejtat e njeriut.

KTV-ja ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga Prokuroria Speciale se deri ku kanë shkuar hetimet rreth çështjes, porse prokurorja e rastit, Habibe Salihu, nuk u është përgjigjur thirrjeve të televizionit.