Arbëri

Opozita nuk mund ta hedhë në votim rezolutën për shpenzimet pa kritere të Qeverisë

Rreth 3 orë kanë debatuar një pjesë e ligjvënësve të Kosovës për paratë që u harxhuan në emër të kremtes së 11-vjetorit të shtetësisë së Kosovës.

Mungesa e kuorumit që ka përcjellë seancën, për deputetët e opozitës tregon se ky pushtet nuk ka interes të flasë për keqpërdorimin e parasë publike, raporton KTV.

Deputetët kanë ngritur dyshime rreth mospërputhjes së kontratës që Qeveria e kishte nënshkruar me kompaninë "Dizarium" dhe, sipas tyre, kjo tregon se dikush ka mashtruar dhe ka vjedhur para.

Por, diskutimin për shpenzime të parasë publike, e vlerësuan të kotë partitë në pushtet.

Kryeministri Ramush Haradinaj pati tjetër shpjegim për gjysmë milionin e ndarë për festën e pavarësisë.

Sipas Haradinajt, nga paratë e ndara, vetëm 175 mijë euro u harxhuan dhe të tjerat do t’i kthehen buxhetit.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se nuk ka krizë makroekonomike, duke shtuar se Qeveria Haradinaj, nuk është e vetmja që ka marrë para nga rezerva shtetërore.

Megjithatë, rezoluta e propozuar nga LDK-ja, nuk doli fare në votim për shkak të mungesës së kuorumit.

Rezoluta ka vetëm 2 pika, ndalimin ndarjes së parave nga rezerva shtetërore pa kritere, si dhe obligimin e Qeverisë që brenda një periudhe të shkurtër kohore të raportojë për paratë e shpenzuar për 11-vjetorin e pavarësisë dhe 551-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut.