Arbëri

Hoxhaj kritikon Limajn e Ahmetin: Nuk mund të takoheni me këshilltarë të Mogherinit

Me të tjera takime kanë nisur javën zyrtarët e lartë shtetërorë.

Këtë të hënë si mysafir në Prishtinë erdhën dy këshilltarë të lartë të kancelares gjermane, Angela Merkel, Jan Hecker dhe Matthias Luttenberg, raporton KTV.

Ata, fillimisht, zhvilluan takim me presidentin Hashim Thaçi.

Nga zyra e të parit të shtetit nuk e thanë asnjë fjalë se për çka u diskutua në takim.

Nga Presidenca, të dy këshilltarët e Merkelit vazhduan takimet ne Qeveri.

Aty për më shumë se një orë zhvilluan takim me kryeministrin Ramush Haradinaj.

Në komunikatën e Qeverisë thuhet se kryeministri me të dy këshilltarët gjerman folën për zhvillimeve politike dhe ekonomike në vend dhe rajon, si dhe normalizimin e dialogut me Serbinë, por merret vesh se gjermanët kërkuan nga Qeveria pezullimin e taksës në mënyrë që t’i hapet rrugë dialogut me Serbinë.

Takimet e këshilltarëve Hecker e Luttenberg, vazhduan me zëvendëskryeministrin Enver Hoxhaj.

Vetë zëvendësi i Haradinajt ka thënë se temë kryesore ka qenë Dialogu me Serbinë dhe taksa.

Ai nuk ka dashur të lëshohet shumë në deklarime se çka saktësisht kërkuan dy gjermanët nga Kosova, por ka thënë se taksa duhet të pezullohet që brenda 120 ditësh të arrihet një marrëveshje me Serbinë.

Ndërkohë, Hoxhaj ka qenë kritik karshi dy kolegëve të tij në Ekipin Shtetëror për dialog, Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti.

Ai ka thënë se duhet të ketë unitet të brendshëm në Prishtinë para se të ketë takime në Bruksel.

Nuk mund të ketë vazhdim të procesit, ka theksuar ai, pa u pezulluar taksa.

Kjo nuk është hera e parë që dy bashkëkryesuesit, Shpend Ahmeti e Fatmir Limaj udhëtojnë tinëz në Bruksel.

Edhe herën e shkuar ata kishin zhvilluar takim veç me këshilltarët e Federica Mogherinit.