Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, me rastin e Ditës së grave, ka vizituar shoqatën “Thirrjet e nënave” dhe Ferdonie Qerkezin, në shtëpinë e saj muze.
“Ju jeni zëri më autentik i dëshmisë për historinë tonë të re. Në këtë ditë, nuk mjaftojnë lulet për mbylljen e plagës tuaj të hapur. Duhet ta gëzoni mbështetjen tonë më të madhe”, ka thënë Hoxha duke shtuar se “Ju jeni dëshmia e vlerës dhe çmimit të lirisë”.
Postimi i plotë i Ministres Hoxha në rrjetin social Facebook:
Nëna e motra të nderuara,
Jam me Juve këtu, me Thirrjet e nënave gjakovare dhe nënën Ferdonie Qerkezi, sepse është vendi më i ndjeshëm në atdheun tonë, për të cekur rëndësinë e nënës, në ditën që i kushtohet nënave. Ju jeni zëri më autentik i dëshmisë për historinë tonë të re.
Në këtë ditë, nuk mjaftojnë lulet për mbylljen e plagës Tuaj të hapur. Duhet ta gëzoni mbështetjen tonë më të madhe. Përgjegjësit e krimit, duhet ta bëjnë zbardhjen e fatit të 1648 të pagjeturve dhe drejtësia ta thotë fjalën e vet.
Ju jeni dëshmia e vlerës dhe çmimit të lirisë. Në ditën e nënave, dua ta përgëzoj secilën nga ju këtu, për zemrën Tuaj të madhe, për fuqinë e përballimit të dhimbjes dhe shpresës.
Nëna e motra, Ju paçim!
-
8 mars 2019 16:51
-
Shpërndaje në: