Arbëri

Themelorja refuzon kërkesën e SBASHK-ut që të mos zëvendësohen orët e humbura pa vendosur Gjykata

Pak ditë më parë, më 4 mars, Sindikata e Bashkuar e Arsimit e dorëzoi në Gjykatën Themelore në Prishtinë padinë ndaj vendimit të ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës.

Koha Ditore ka mësuar se kur është dorëzuar padia, është kërkuar të shtyhet ekzekutimi i vendimit të ministrit Bytyqi, mirëpo, Gjykata Themelore, sot e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e SBASHK-ut.

Drejtues të SBASHK-ut, kanë konfirmuar për Kohën Ditore se të hënën, do të bëjnë ankesë në Gjykatën e Apelit për këtë vendim.

Kujtojmë që tërë sistemi arsimor në Kosovë kanë mbajtur grevë për më shumë se tre javë me kërkesën për rritje pagash.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka dalë me vendim që orët e humbura për shkak të grevës të kompensohen duke mbajtur mësim gjatë pushimit pranveror, si dhe të mbahet procesi mësimor gjatë të shtunave, por kjo nuk u mirëprit as nga prindërit.

{gallery}