Spitali i Pediatrisë do të funksionalizohet vitin tjetër, 4 vjet pas nisjes

Marigona Hajdaraj 06 March 2019 20:49

Me vetëm dy salla të operimit, Klinika Kirurgjike e fëmijëve, nuk mund të kryejë më shumë se dhjetë operacione në ditë.

Të gjithë fëmijët që kanë nevojë për këtë shërbim, deri në vitin e ardhshëm nuk do të kenë mundësi që të trajtohen në spitalin e ri të Pediatrisë.

Kjo për faktin se ky spital, tashmë është vetëm në fazën e dytë të punimeve, ani pse ishte paraparë të kryhej në vitin 2018, raporton KTV.

Drejtori i Klinikës Kirurgjike të fëmijëve, Murat Berisha, thotë se ndërtimi i këtij spitali do të ketë efekt shumë të madh, si për pacientët, ashtu edhe për stafin.

Për vonesën e ndërtimit të spitalit, ankohen edhe prindërit.

Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë, thonë se vonesa e ndërtimit të spitalit të Pediatrisë, është pasojë e neglizhencës së Qeverisë së kaluar.

Guri themeltar për ndërtimin e Spitalit të Pediatrisë në QKUK, ishte vënë nga presidentja Atifete Jahjaga në vitin 2016.

Jahjaga, bashkë me ministrin e atëhershëm të Shëndetësisë, Imet Rrahmani, kishin nënshkruar marrëveshje gjatë një vizite në Emiratet e Bashkuara, që dhanë donacion më shumë se 22 milionë euro për ndërtimin e këtij spitali.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme