Arbëri

Surroi: Nëse s’ka konsensus mes partive, vështirë se arrihet rezultati i duhur në dialog

Shkrimtari dhe publicisti Veton Surroi ka thënë se pa u arritur një konsensus mes partive politike në Kosovë për dialogun me Serbinë, vështirë se do të arrihet rezultati i duhur.

Sipas tij, në vend ka dallime të dukshme në qëndrimet e partive për dialogun, por ka thënë se dallim ka edhe në qëndrimet e partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës.

“Ka dallime të dukshme. Është proces që s’ka pajtim transatlantik ende. Ka një lëvizje në kryeqytetet e QUINT-it që të arrihet dakordim i plotë e kjo do të marrë kohë. Ndoshta javë apo muaj. Por porosia themelore është që siç do të krijohet konsensus transatlantik të ketë konsensus edhe kosovar. Kemi disa rrafshe në vend, me presidentin që flet për territore e kryeministrin që ka marrë procesin me taksën, si dhe ekipin negociator që së shpejti do të aprovojë një ligj e në rrafshin e katërt LDK-në e VV-në që s’janë në ekip. Por nëse nuk arrihet konsensusi mes partive, Kosova do të ketë të vështirë të krijojë rezultatin e duhur në dialog”, ka thënë ai në Rubikon të KTV-së.

Ai e ka quajtur hap inkurajues letrën e presidentit amerikan Donald Trump duke thënë se ai tregoi se cila duhet të jetë korniza e procesit negociator.