Arbëri

Gjeloshaj: Fitorja në Tuz vendimtare për identitetin kombëtar

Nik Gjeloshaj, kandidati që fitoi në garën për kryetar të Komunës së Tuzit në Mal të Zi, shprehet se fitorja e zgjedhjeve ishte vendimtare për ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar, i cili ishte në rrezik.

Zgjedhjet e mbajtura të dielën që lamë pas në Tuz të Malit të Zi ishin vendimtare për shqiptarët e kësaj komune, në radhë të parë për kultivimin e identitet kombëtar. Kështu ka deklaruar Nik Gjeloshaj, kryetar i Alternativës Shqiptare, i cili më 3 mars të këtij viti u zgjodh kryetar i Komunës së Tuzit.

Gjeloshaj pohoi se çelësi i kësaj fitoreje ishte bashkimi i forcave politike shqiptare. Ky unifikim i subjekteve, sipas tij, ishte parakushti kryesor në sensibilizimin e elektoratit shqiptar në gjithë territorin e komunës së Tuzit. Gjeloshaj më tej ka thënë se është në dijeni se gjatë qeverisjes do të përballet me sfida të shumta, por është zotuar se do të përqendrohet në instalimin e organeve dhe të institucioneve të duhura, që do të jenë në shërbim të nevojave të banorëve të Tuzit.

Gjatë intervistës ai ka konsideruar se për faktorizimin e duhur të shqiptarëve në Mal të Zi është i domosdoshëm rezultati i volitshëm zgjedhor, pasi në të kundërtën mundësitë janë të kufizuara për realizimin e kërkesave.