Arbëri

Çmimet e produkteve mund të pësojnë rritje akoma

Vendosja e taksës së produkteve serbe dhe boshnjake ka ndikuar në rritjen e çmimeve të produkteve bazë për 3 për qind.

Për produktet bazike siç janë qumështi, djathi, vezët, sheqeri, pemët dhe perimet qytetarët kanë paguar më shtrenjtë se sa në vitin e kaluar.

Në janar të 2018 një litër qumësht ka kushtuar 0.85 centë, kurse këtë vit është rritur deri në 7 për qind më shumë, raporton KTV.

Rritje prej 8 centësh ka pësuar edhe një kilogram miell. Nga 0.39 centë sa ishte në janar të 2018-s, çmimi është rritur në 0.47 centë.

Qytetarët shprehen të shqetësuar për këtë derisa thonë se janë çmimet më të larta në rajon krahasuar me pagat e ulëta.

Hasan Matoshi, shitës në tregun e kryeqytetit, thotë se shkaku i rritjes së çmimit në doganë, janë detyruar që të ngritin çmimin e produkteve të tyre.

Shoqata që mbrojnë konsumatorët, nuk kanë përjashtuar mundësinë e rritjes tjetër të çmimeve në treg, derisa ekonomistët në fakt thonë se mbetja e taksës në fuqi mund të ndikojë në ulje të çmimeve në produkte.

Qeveria e Kosovës më 21 nëntor kishte marrë vendim për vendosjen e taksës ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina.