Arbëri

Vetëvendosje: Papunësia e grave, mendësi e gabuar e qeverisë së vendit

Numrin e madh të grave të papuna, Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur mendësi të gabuar të qeverisë së vendit.

Në një konferencë ta mbajtur, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu ka folur për papunësinë e grave të cilat sipas saj janë të shtypura edhe si gra edhe si qytetare të Kosovës.

“Diskriminimi e shtypja, dhuna fizike e psiqike, shfrytëzimi i vajzave dhe grave ka ndërlidhje të ngushtë me varësinë dhe shtypjen ekonomike. Në aspektin e legjislacionit janë bërë disa ndryshime, por të cilat thjesht kanë mbetur të pazbatuara”, tha Albulena Haxhiu.

Ajo po ashtu foli edhe për projektligji i punës të proceduar nga Qeveria duke theksuar se nuk ka mekanizma mbrojtës kundër diskriminimit të grave në punësim madje nuk ka asnjë autoritet ku mund të raportohen rastet.

“Arsyet pse nuk punësohen gratë, është sepse punëdhënësi e konsideron problem pushimin e lehonisë. Pushimi i lehonisë natyrisht që duhet të mbetet për periudhën 1 vjeçare por është koha që ta ndajmë atë në formë të obligueshme, 6 muaj nëna, 6 muaj babai”, ka thënë ajo.

Ndërkaq anëtarja e kryesisë Tinka Kurti foli për diskriminimin që i bëhet gruas në rastet e punësimit.

“Kur papunësia e grave është mbi 80 për qind, është e qartë se aty nuk bëhet fjalë për fat individual e as për përcaktim natyror. Kjo është kryekëput rezultat i politikave të gabuara e të dëmshme të shtetit. Dhe më e keqja është se këto shifra nuk janë të reja dhe nuk kanë shënuar ndonjë lëvizje që prej pasluftës. Pra, nuk bëhet fjalë për mospjesëmarrje, por për përjashtim”, tha Tinka Kurti.

Sipas saj gratë kalojnë nëpër më shumë intervista pune sesa burrat gjatë procesit për të siguruar një vend pune.

“Gratë kanë raportuar se kanë kaluar nëpër 5 intervista gjatë pesë viteve të fundit në dallim me burrat që kanë kaluar nëpër tri sosh. Kjo tregon për vështirësi të dyfishuara për gratë. Sipas studimeve që kryhen në universitet publike në Kosovë janë 41 mijë e 787 gra studente dhe 32 mijë 819 burra, referuar një shifre të publikuar nga instituti GAP. Pra, rreth 9 mijë studente më shumë sesa burra dhe prapë vetëm 12 përqind e grave punojnë. Rreth 80 përqind janë joaktive në punë. Diskriminimi ndodh që prej konkurseve ku nuk fshihet fare seksualizmi i punës. Për gratë kërkohen kritere shtesë në CV-të e tyre. Kërkohet dërgimi i obligueshëm i fotografisë dhe bëhen më shumë pyetje rreth jetës e planeve të tyre private, sidomos rreth planifikimit të shtatzënisë. Kjo është e njëjtë sikur të dënohesh pse lind fëmijë”, tha ajo.

Kurti ka rekomanduar për angazhim të të gjithë akterëve për të moslejuar diskriminimin e grave në punë.

“Universiteti publik duhet të marr rol me studime e analiza poashtu edhe Avokati i Popullit duhet të organizojë seksione e informata se si e ku mund të paraqiten ankesa të kësaj natyre. Pra pa angazhimin e të gjithëve, nuk mund të kemi përparime dhe vajzat dhe gratë do të vazhdojnë të shtypen e diskriminohen në punësim. Këtë mund ta ofrojë vetëm një shtet zhvillimor me punë e pagë të dinjitetshme për gjithsecilën e gjithsecilin”, ka thënë ajo.