Haradinaj akuzon Thaçin e Ramën se qëndrojnë prapa idesë së dhënies së tokës për njohje Foto: Driton Paçarada / Koha Ditore

Haradinaj: Po t’më thotë Amerika lëshoje postin, e lëshoj - por për taksën s’lëvizi

01 March 2019 21:52
22:03

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka theksuar se nëse SHBA-ja kërkon nga ai të heq dorë nga posti i kryeministrit, do ta bënte një gjë të tillë, por heqjen e taksës nuk do ta bënte as me kërkesën e aleatit kryesor të Kosovës.

Haradinaj tha se nuk e ngre dorën me asnjë kusht për të hequr taksën ndaj Serbisë, ndërsa pozitën do ta linte nëse ia kërkon Amerika.

“Po të vije amerikani e të më thotë, ‘Ramush, a po e lëshon detyrën’, unë largohem. Por nuk e çoj dorën ta heq taksën ndaj Serbisë, unë këtë e kam thënë që nuk e bëj”, tha ai në një intervistë për televizionin publik.

Tutje, Haradinaj foli edhe për mundësinë e largimit të SHBA-së nga KFOR-i dhe baza e Bondsteelit, duke thënë se SHBA-ja nuk i heq trupat e saj nga baza Bonsteel për taksën, por vetëm nëse këtë e kanë në plane të sigurisë së tyre.

“Nëse Amerika e ka në plan ta heq Bonsteelin, si me taksë si pa taksë do ta heqë, nëse nuk e ka në plan ta heq, nuk do ta heqë. Rrini të qetë sepse nuk do të ndodh kjo. Amerika e heq Bonsteelin vetëm nëse e ka në planet e veta që ta heq, por do të na bëjnë të zotë për t’u mbrojtur, pasi e kemi këtu kufirin me Rusinë. Nuk e heq për taksën. Nuk e them që nuk e ka thënë askush, por nuk bëhen këto punë për taksë”, tha ai.

Kryeministri tha se i beson Amerikës për territorin e Kosovës, ndërsa shtoi se “rreziku është te ne, vetëm nëse ndonjë nga ne shkon e i rren. Rreziku nuk është Amerika, as Evropa, por rreziku jemi ne”.

Ai pohoi se është keq që aleatët qeveritarë janë ndarë për ta dëmtuar kryeministrin. Ai kërkoi nga të gjitha partitë në Kosovë që të bashkohen për taksën kundër Serbisë. “Le të dalin e të thonë se jemi bashkë dhe taksën nuk e heqim dhe do ta shihni se do të ndryshojë qëndrimi amerikan”.

21:52

Haradinaj akuzon Thaçin e Ramën se qëndrojnë prapa idesë së dhënies së tokës për njohje

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka akuzuar presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin shqiptar, Edi Rama, se qëndrojnë prapa idesë së dhënies së tokës për të fituar njohjen nga Serbia.

Në një intervistë për televizionin publik, Haradinaj ka theksuar se çdoherë e ka pasur një kusht të sinqertë, duke pohuar se në çdo vend e ka kundërshtuar kushtin, që njohja të blihet duke dhënë tokë.

Po ashtu ai pohoi se është lënë të kuptohet në shumë raste që presidenti ynë dhe pastaj kryeministri Rama, e kanë përkrahur idenë e dhënies së tokës për njohje.

Image

Ai ka deklaruar se në çdo takim e ka këshilluar presidentin që të mos e vazhdojë këtë ide, sepse do të sjellë tragjedi për tërë popullin.

“Kushdo që hap temën e ndarjes, është armiku im. Këtë e kam thënë në takime, jo pas shpine. E kam bërë edhe me presidentin, edhe në takime tjera”, tha ai, dhe shtoi se lëvizja e kufijve është agjendë e Rusisë, sepse e njëjta ka agjendë për lëvizjen e kufijve në Ballkan.

Kreu i ekzekutivit kosovar pohoi se nuk rrezikohen marrëdhëniet me Amerikën sepse kërkesa e tyre është pezullimi i taksës. Ai tha se taksa është shfrytëzuar për ta dëmtuar udhëheqësin e Qeverisë, “të më dëmtojnë mua”.

“Amerika është si vëllai i madh, sepse po na teston deri ku mund të këmbëngulim ne”, tha ai.

I pyetur se pse nuk po e dëgjon kërkesën e amerikane për taksën, ai tha se nuk lëshon pe para Serbisë dhe Rusisë.

Ai po ashtu tha se ekziston një bindje që ka një paramarrëveshje, por që atë nuk e ka parë dhe nuk ka si të ecë përpara pa e parë marrëveshjen.

Kryeministri është shprehur edhe njëherë se taksa nuk hiqet pa njohje të Kosovës nga Serbia.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme