Arbëri

Vëllai i Valbona Nrecajt thotë se “drejtësia do të ishte drejtësi” nëse krimi do të parandalohej

Për vrasjen e dyfishtë që tronditi Kosovën në gusht të 2018-s, Pjetër Nrecaj, pjesën e mbetur të jetës do ta kalojë prapa grilave.

Gjykata e Apelit, pas ankesave, ka vendosur ta ndryshojë aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë të datës 19.11.2018, e cila e kishte dënuar Nrecajn me vetëm 24 vjet burgim për vrasjen e bashkëshortes, Valbonës, dhe vajzës së tij 9-vjeçare, raporton KTV.

Duke e vlerësuar si dënim jo të duhur, Gjykata e Apelit e ka dënuar Nrecajn me burgim të përjetshëm, vendim ky i shqiptuar për herë të parë në Kosovë.

Në arsyetimin e Apelit thuhet se “Veprimet e të akuzuarit janë ricilësuar si ‘Vrasje e rëndë dhe ndaj tij është shqiptuar dënimi më burgim të përjetshëm’”.

Gjykata e Apelit ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë, nuk i ka vlerësuar në mënyrë të drejtë të gjitha rrethanat rënduese.

Në njoftimin e Apelit, tutje, thuhet se shqiptimi i dënimit unik prej 24 vjetësh burgim, nuk është adekuat për peshën e veprës penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarit.

Vendimin e Gjykatës Themelore e kishte kundërshtuar mbrojtja e Nrecajt, e edhe Prokuroria.

Në shtëpinë e vëllezërve të Valbonës, në fshatin Brekoc të Gjakovës, të premten nuk ka qenë askush.

Fqinjët kanë thënë se familjarët e së ndjerës kanë ikur nga Kosova për shkaqe sigurie.

Vëllai i Valbonës, Shkëlzeni, ka thënë se drejtësia do të ishte drejtësi nëse policia e gjykata do të merrnin parasysh denoncimet e Valbonës sa ishte gjallë.

“Pasi që ndodhi rasti, nuk na është ofruar asnjë ndihmë dhe siguri. Pas vrasjes kemi pasur presion për rastin e fëmijëve, fëmijët nuk donin të shkonin atje dhe kishte presione për t’i marrë ata, me apo pa dëshirën e tyre. Ne nuk e morëm asnjë ndihmë nga shteti i Kosovës dhe duke e ditur se ai kishte lidhje në polici, u detyruam të largojmë familjen nga aty. Dhashtë Zoti që bashkëpunëtorët e tij ta marrin dënimin e merituar”, ka thënë Shkëlzen Marku, vëllai i viktimës.

Vendimin e ri të Apelit e ka mirëpritur shoqëria civile, e cila kishte organizuar edhe protesta.

Nrecaj, nga Gjykata Themelore, ishte dënuar edhe me 1 vit e gjysmë burgim për dhunën që kishte ushtruar ndaj bashkëshortes së tij sa ishte gjallë.

Kundër këtij aktgjykimi, pala ka të drejtë ankese në Gjykatën Supreme të Kosovës.

40-vjeçari Nrecaj, para Gjykatës e kishte pranuar krimin, derisa kishte deklaruar se gjithçka kishte ndodhur aksidentalisht, e për të njëjtën vepër ishte penduar.