Arbëri

Haradinaj takon eurodeputetin McAllister, thotë se ka marrë dritën e gjelbër për liberalizim

Descriptive Text

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një takim me eurodeputetin David McAllister, ka thënë se Kosova ka marrë dritën e gjelbër për liberalizim të vizave.

Sipas tij, Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizim dhe pret që me kohë të merret një vendim i duhur.

“Në takim me delegacionin e Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, udhëhequr nga kryesuesi, David McAllister, i falënderova për mbështetjen e vazhdueshme për perspektivën evropiane të Kosovës dhe për dhënien e dritës jeshile për liberalizimin e vizave. Pasi që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara në këtë proces, që u rikonfirmua edhe sot nga kryesuesi David McAllister, me të drejt pret që të merret vendimi meritor në kohë optimale për lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj”, ka thënë Haradinaj në një postim në Facebook.

Në kuadër të takimit, Haradinaj thotë t’i ketë informuar eurodeputetët për “fuqizimin e rendit dhe ligjit dhe reformat e suksesshme shtetërore që i sigurojnë Kosovës rrugëtim të sigurt drejt integrimit në familjen evropiane”.