Shala nga IKD e quan të duhur vendimin e Gjykatës për Pjetër Nrecajn

01 March 2019 17:49
18:14

Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se vendimi për dënim me burgim të përjetshëm për Pjetër Nrecajn është ndër vendimet më të mira që ka marrë Gjykata e Apelit.

Shala, në “Express Intervistën” në KTV, ka kritikuar edhe gjykatën e shkallës së parë në Gjakovë e cila, sipas tij, nuk kishte shkuar as në dënimin maksimal, pas atij me burg të përjetshëm.

“Ky është një ndër rastet e rralla kur Gjykata e Apelit e luan rolin e vet ligjor, kur i korrigjon në mënyrë të duhur gjykatat e shkallës së parë, që kishte marrë një vendim më të butë, ndonëse këtu ishte pasojë shumë e madhe, dhe që nuk i kishte vlerësuar si duhet rrethanat e rastit, madje nuk kishte shkuar as në maksimumin e dënimit që ishte 25 vite”, ka thënë ai.

Shala ka thënë se ekziston mundësi minimale që këtë vendim ta ndryshojë Gjykata Supreme, edhe pse sipas tij, në hulumtimet e IKD-së kjo gjykatë shpeshherë di të bëjë gabime amatoreske.

“Ky vendim mund të jetë objekt i shqyrtimit në Gjykatën Supreme. Unë nuk e besoj që do të ketë ndonjë lëshim eventual. Ka në disa raste të caktuara që kemi hulumtuar e që janë bërë disa gabime amatoreske dhe që rasti është dashur të kthehet në rishqyrtim. Në vetë faktin se si është kryer vepra penale, i burgosuri duhet të vihet në burgun e sigurisë së lartë në Gërdoc”, tha ai.

Ndërkaq, lidhur me vendimin për burgim të përjetshëm ndaj Nrecajt, Shala beson se ndikim ka pasur edhe reagimi nga publiku të cilët kanë qenë të zëshëm për rastin.

“Është rasti i vetëm që një gjykatë e Kosovës shqipton dënim me burgim të përjetshëm. Politika ndëshkimore gjithmonë ka qenë selektive, ka pasur raste të ngjashme që nuk janë dënuar njëjtë. Reagimi i publikut në secilin rast do të duhej me qenë një nxitës më i madh në llogaridhënien e sistemit të drejtësisë. Ka pas reagim nga publiku dhe është rritur niveli i llogaridhënies së Gjykatës së Apelit”, tha Gëzim Shala, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi.

Pjetër Nrecaj është dënuar sot me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij dhe të bijës.

17:49

Shala për rastin e gjuajtjes me armë në odën e Limajt: Drejtësia vendosi në mënyrë selektive

Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi në “Express Intervistën” në KTV, ka thënë se drejtësia ka vepruar në mënyrë selektive kur ka shqiptuar vetëm 1 mijë e 700 euro gjobë për ministrin Dardan Gashi dhe ish kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku dhe 2 mijë e 400 euro për ministrin Endrit Shala, të cilët u gjykuan sot për gjuajtje me armë në odën e zëvendëskryeministrit Fatmir Limajt.

“Rasti që ka ndodhur sot me dy ministrat dhe ish-kryetarin e Skenderajt nuk është lajm i mirë por as i rrallë. Sot është konfirmuar që sistemi i drejtësisë vepron në mënyrë selektive”, ka thënë Shala.

Ai ka shtuar se në Kosovë drejtësia shikon se kush po gjykohet dhe jo për çka po gjykohet.

“Prokurori i rastit është deklaruar që do të kontaktojë me kolegët që të koordinohet për hapat e radhës, pasi është kontaktuar se a është dënimi i duhur. Drejtësia shikon se kush po gjykohet dhe jo për çka po gjykohet”, ka thënë ai.

Image

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme